Është ekstraduar nga Nju Jorku drejt Shqipërisë shtetasi 52-vjeçar Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim për tre vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës. Ekstradimi u realizua këtë të mërkurë në kuadër të operacionit të koduar “GLOBE”. Valentin Ftoni ishte arrestuar në Nju Jork më 8 tetor 2026 dhe u mor në dorëzim nga strukturat federale amerikane për t’iu vënë në dispozicion drejtësisë shqiptare. Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2001 dhe fshihej në Shtetet e Bashkuara duke përdorur tre identitete të falsifikuara. Sipas të dhënave gjyqësore, Ftoni është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata e Shkodrës më 28 janar 2001 për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më 19 shtator 2000 në Cas të Shkodrës vrau shtetasit Gj. M. dhe A. M. për motive gjakmarrjeje. Gjithashtu, më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e ka dënuar sërish me 25 vjet burgim për të njëjtat vepra penale, lidhur me vrasjen e shtetasit G. T., ngjarje e ndodhur më 12 gusht 2001 në Shkodër.