I shërohet dhëmballa Pandeli Majkos: Kam informacione për 1 mijë orë video erotike me eksponentë të PS-së

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2026, 23:40

Duket se “dhëmballa” që për vite me radhë e mbajti Pandeli Majkon larg deklaratave të forta politike, më në fund është shëruar. Ish-kryeministri socialist ka zgjedhur të flasë, madje këtë herë me një paralajmërim që, nëse konfirmohet, mund të shkaktojë jo pak tronditje brenda Partisë Socialiste.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Majko mësohet të ketë deklaruar se disponon informacione për rreth 1 mijë orë filmime, ku pretendohet se shfaqen eksponentë socialistë në video me përmbajtje erotike dhe korruptive.

Sipas raportimit të Panorama Online, duke iu referuar burimeve brenda Partisë Socialiste, Majko u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në këto materiale të japin dorëheqjen përpara se pamjet të bëhen publike.

“Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të jetë shprehur ai.

Deklarata merr edhe një nuancë të veçantë po të kujtojmë një episod të vitit 2020. Në atë kohë, pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Majko u pyet se përse nuk kishte reaguar, ndonëse më herët ishte shprehur kundër prishjes së tij. Përgjigjja e tij ishte se kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale në gojë dhe nuk kishte mundur të fliste.

Arsyeja u kthye në një nga batutat politike të kohës, ndërsa “dhëmballa” e Majkos u bë një referencë sa herë që emri i tij shoqërohej me heshtjen për çështje të rëndësishme.

Por këtë herë, duket se nuk ka pasur nevojë as për dentist, as për ndërhyrje kirurgjikale. Majko ka folur vetë dhe ka përmendur plot 1 mijë orë filmime që, sipas pretendimeve të raportuara, mund të përmbajnë materiale komprometuese për eksponentë të partisë së tij.

Mbetet për t'u parë nëse këto filmime ekzistojnë dhe nëse paralajmërimi i Majkos do të pasohet nga ndonjë zhvillim konkret. Deri atëherë, një gjë është e sigurt: kësaj radhe, për dhëmballën nuk mund të ankohet askush.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit