Aksidenti tragjik në Thumanë-Fushë Krujë i merr jetën artistit të njohur (Emri)
Paulin Filopati, një prej emrave të njohur të muzikës tradicionale mirditore, është viktima e aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur pasditen e kësaj të shtune në aksin Thumanë–Fushë Krujë.
65-vjeçari humbi jetën pasi u përplas nga një automjet, në një aksident që u regjistrua rreth orës 14:10. Në timonin e makinës ndodhej një 19-vjeçar me inicialet F.B., i cili është shoqëruar në komisariat dhe më pas është arrestuar nga policia.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur komunitetin artistik dhe kulturor të Mirditës. Paulin Filopati ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, si dhe e Grupit Kthella, duke kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe përcjelljen e këngës popullore të zonës.
Ai ishte njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të cilët janë bërë të njohur për kontributin e tyre në trashëgiminë muzikore dhe folklorike mirditore.
Policia konfirmoi se këmbësori, 65-vjeçari P.F., ndërroi jetë si pasojë e përplasjes, ndërsa drejtuesi i automjetit u shoqërua për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik që i mori jetën artistit të njohur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



