Veton Surroi ka hedhur poshtë si të pavërteta deklaratat e Baton Haxhiut për familjen e tij, të bëra gjatë një interviste në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, ndërsa ka ngritur akuza të rënda për të kaluarën e gazetarit.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Surroi mohon se ka shoqëruar ndonjëherë Haxhiun në banesën e nënës së tij, duke i cilësuar si të sajuara pretendimet për fotografinë e ish-diktatorit jugosllav Josip Broz Tito dhe bisedën që, sipas Haxhiut, kishte zhvilluar me të ëmën.
Por Surroi nuk është ndalur te përgënjeshtrimi. Ai pretendon se në vitin 1998 Haxhiu kishte bashkëpunuar me Zoran Stijoviqin, drejtues të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Prishtinë, për të ndërmjetësuar dhe koordinuar takime mes përfaqësuesve të këtij shërbimi dhe Mahmut Bakallit.
Sipas Surroit, takimet janë zhvilluar në banesën e Bakallit në Prishtinë dhe në hotelin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Brezovicë. Ai i referohet gjithashtu dëshmive të dhëna në procesin gjyqësor ndaj Sllobodan Millosheviçit në Hagë, duke kundërshtuar versionin e Haxhiut për rolin e tij në këto takime.
Një tjetër pretendim i rëndë lidhet me vitin 2005, kur, sipas Surroit, Ministria e Brendshme e Shqipërisë kishte refuzuar dhënien e pëlqimit për shtetësinë shqiptare të Haxhiut. Surroi pretendon se vendimi ishte bazuar në një dokument sekret, që sipas tij, ngrinte dyshime për marrëdhënie të papërshtatshme me një shërbim inteligjent jomiqësor ndaj Shqipërisë. Ai shton se refuzimi u kapërcye më vonë përmes kompetencës diskrecionale të Presidentit, pas një fushate mediatike të drejtuar nga TV Klan.
Në fund të reagimit, Surroi kundërshton edhe komentet e Haxhiut për familjen e tij nga ana e nënës, duke theksuar kontributin e pjesëtarëve të saj në historinë dhe formësimin e shtetit të Kosovës.
Reagimi i plotë i Veton Surroit:
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
• Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakalli. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit,
B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.














