BOTA

Netanyahu propozon qeveri të unitetit kombëtar në Izrael/ Eisenkot e refuzon: Janë hile politike!

20:55 - 14.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka propozuar krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, duke argumentuar se Izraeli po përballet me sfida serioze të sigurisë, veçanërisht nga Irani, i cili sipas tij po përpiqet të ringjallë programin e tij bërthamor.

Në një deklaratë publike, Netanyahu bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gandhi Eisenkot, duke i bërë thirrje të gjitha forcave politike që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të bashkohen në një qeveri të gjerë.

Sipas Netanyahut, një qeveri me mbështetje të kufizuar parlamentare nuk do të ishte në gjendje të përballonte kërcënimet e sigurisë, ndërsa theksoi se Irani po përpiqet të rifillojë programin bërthamor.

“Regjimi iranian, i cili kërkon shkatërrimin e Izraelit, po vepron përsëri për të rinisur programin e tij bërthamor. Ky regjim vrasës nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore kundër nesh”, deklaroi ai.

Netanyahu e lidhi propozimin edhe me nevojën për pajtim kombëtar, duke i kërkuar Eisenkotit të nisë negociatat pa parakushte dhe të lërë mënjanë përplasjet politike.

“Le të hyjmë në një dhomë, pa parakushte, le të lëmë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet dhe të gjitha përjashtimet, dhe le të arrijmë marrëveshje për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit”, u shpreh kryeministri.

Propozimi i Netanyahut është kundërshtuar nga Gandhi Eisenkot, kreu i partisë Yashar, i cili e cilësoi thirrjen për unitet kombëtar si një tjetër manovër politike.

Eisenkot deklaroi se tashmë ishte planifikuar një takim mes ekipeve negociuese të dy partive dhe akuzoi Netanyahun se flet për bashkim, ndërkohë që, sipas tij, kontribuon në përçarjen e shoqërisë izraelite.

Ai bëri të qartë se çdo bashkëpunim i mundshëm për krijimin e një qeverie emergjence duhet të mbështetet në parime konkrete dhe të mos përfshijë forcat politike ekstremiste.

Përplasja mes dy politikanëve vjen në një moment kur çështjet e sigurisë, kërcënimi iranian, shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe përçarjet e brendshme politike mbeten në qendër të debatit në Izrael.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.