Gjermania drejt projektit gjigant të avionëve luftarakë, Italia i hap rrugën, në lojë mbi 100 miliardë euro

14/11/2026 20:31

Italia ka dhënë sinjalin zyrtar të gatishmërisë për përfshirjen e Gjermanisë në programin GCAP (Global Combat Air Programme), një nga projektet më ambicioze dhe më të kushtueshme të industrisë ushtarake europiane, që synon zhvillimin e avionëve luftarakë.

Qeveria e Giorgia Melonit ka hedhur poshtë raportimet se Roma kundërshtonte pjesëmarrjen e Berlinit në këtë projekt, duke deklaruar se Italia ka qenë gjithmonë e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit.

Në një reagim zyrtar, qeveria italiane i cilësoi si “tërësisht çorientuese” raportimet e publikuara më herët nga Financial Times, sipas të cilave Italia kërkonte që Gjermania të kishte vetëm statusin e vëzhguesit dhe jo të një partneri të plotë.

Sipas Romës, propozimi për një përfshirje fillestare të Gjermanisë si vëzhguese kishte për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe përshpejtimin e procesit drejt anëtarësimit të plotë, pa cenuar afatet dhe ecurinë e projektit.

Programi GCAP është një bashkëpunim mes Italisë, Britanisë së Madhe dhe Japonisë, përmes kompanive Leonardo, BAE Systems dhe Mitsubishi. Projekti synon krijimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë, me hyrjen në shërbim të parashikuar për vitin 2035.

Ai konsiderohet një sistem i integruar ushtarak, pasi përveç avionit luftarak do të përfshijë teknologji të avancuara komunikimi dhe koordinimi me radarë, satelitë, dronë dhe forcat tokësore.

Vlera e programit vlerësohet në më shumë se 100 miliardë euro, çka e bën një prej investimeve më të mëdha në historinë e mbrojtjes europiane.

Hyrja e Berlinit do të mund të lehtësonte barrën financiare për Italinë dhe Britaninë e Madhe, të cilat përballen me kosto të konsiderueshme për realizimin e projektit.

Megjithatë, zgjerimi i partneritetit mund të sjellë edhe debate për ndarjen e kontratave dhe të punës mes kompanive pjesëmarrëse. Gjermania pritet të kërkojë përfshirjen e gjigantit industrial Airbus në prodhimin e avionëve, çka do të detyronte partnerët aktualë të rishikonin ndarjen e përgjegjësive dhe përfitimeve ekonomike.

Ndërkohë, Japonia ka shprehur shqetësime për çdo vonesë të mundshme, pasi synon që avioni i ri të jetë gati në vitin 2035. Tokio e konsideron këtë afat veçanërisht të rëndësishëm përballë zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Kinës.

Pavarësisht sinjalit pozitiv nga Italia, Berlini po shqyrton edhe alternativa të tjera. Një grup ekspertësh të mbrojtjes në Gjermani ka rekomanduar shqyrtimin e një bashkëpunimi të ri me kompaninë suedeze Saab, prodhuesen e avionëve luftarakë Gripen.

Një tjetër mundësi është zhvillimi i një avioni të pavarur, sipas modelit që synon Franca, por Gjermanisë i mungon aktualisht përvoja e nevojshme teknologjike për ta realizuar e vetme një projekt të tillë.

Top Channel