Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, analizoi në një intervistë për News24 situatën politike në Shqipëri, protestat e fundit dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, të parashikuara për muajin maj.
Sipas Kaprit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndjekin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në vend. Ai e cilësoi pjesëmarrjen e të rinjve në protesta si një moment me rëndësi, duke nënvizuar se kërkesat dhe zëri i tyre duhet të merren në konsideratë.
Të lidhura
None found
Kapri akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po mban përgjegjësi, po sulmon drejtësinë dhe po mbron persona të përfshirë në akuza për korrupsion. Në këtë kuadër, ai përmendi edhe rastin e Belinda Ballukut dhe qëndrimet e Ramës ndaj SPAK-ut.
Deputeti deklaroi se SPAK-u ka kaluar një vijë të kuqe, por se Edi Rama mbetet i vetmi person që, sipas tij, nuk është përballur me drejtësinë. Kapri theksoi se asgjë nuk mund të ndodhte në vend pa lejen dhe miratimin e kryeministrit, ndaj SPAK-u duhet të hetojë dhe të procedojë penalisht Ramën.
Duke folur për zgjedhjet vendore dhe garën për Bashkinë e Tiranës, Kapri tha se qytetarët po kërkojnë një alternativë të ndryshme nga Edi Rama dhe Sali Berisha. Ai vlerësoi se një kandidat që ka mbështetjen e protestuesve mund të përfaqësojë pikërisht këtë kërkesë.
Kapri nënvizoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe shqiptarëve është një aleancë historike, ndërsa forcimi i saj duhet të mbetet një mision i përbashkët. Ai e konsideroi protestën e studentëve një kërkesë për politikë përfaqësuese dhe për një Shqipëri europiane, duke shtuar se ndryshimi duhet të vijë përmes votës dhe jo përmes tryezave apo dialogut të përdorur për pazare politike.
Sipas tij, nëse qytetarëve të Tiranës do t’u ofrohet një kandidat i mbështetur nga sheshi, fitorja e kryeqytetit do të jetë e mundur. Kapri tha gjithashtu se fokusi duhet të jetë dorëheqja e Edi Ramës, pasi zgjedhjet mund të zhvillohen edhe më herët, përfshirë zgjedhjet e përgjithshme. Ai shtoi se, për sa kohë Rama nuk po qeveris, duhet këmbëngulur për largimin e tij.








