
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar klasën e vjetër politike se po përgatit një pazar të ri përmes Reformës Zgjedhore, me qëllim ruajtjen e pushtetit.
Gjatë protestës, Shehaj u shpreh se, ndërsa qytetarët protestojnë prej gjashtë muajsh për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të klasës së vjetër politike, përfaqësuesit e kësaj të fundit po ulen me njëri-tjetrin për të negociuar ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Deklarata e Agron Shehajt:
6 muaj protestë për të larguar Edi Ramën, për të larguar klasën e vjetër politike. Ndërkohë këta çfarë bëjnë, ulen me njëri-tjetrin, duan të bëjnë pazarin e radhës. Gjoja do ndryshojnë sistemin zgjedhor në të mirë të demokracisë, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Por kjo nuk është e vërtetë!
E vetmja gjë që duan, duan të gatuajnë një sistem zgjedhor për të mbajtur pushtetin e tyre.
Por kjo nuk ka për të ndodhur sepse protesta nuk ndalet! Lufta, beteja për një Shqipëri ndryshe, për të ardhmen e shqiptarëve vazhdon, derisa t’i japim fund kësaj klase të korruptuar politike.