Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, e ka ftuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, në një përballje publike për të shpjeguar arsyet pse, sipas saj, nuk po nënshkruhet marrëveshja me Bankën Gjermane për Zhvillim, KfW, për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Musmurati ka akuzuar Muratin për bllokimin e projektit për shkak të inateve politike, ndërsa ka paralajmëruar se vonesat mund ta rrezikojnë financimin gjerman. Sipas saj, paketa e paraparë arrin në 74 milionë euro dhe përfshin kamionë të rinj, kontejnerë dhe një qendër për riciklimin e mbeturinave.


“Kurrë nuk kam marrë përgjigje prej Hekuran Muratit për këtë punë dhe kam shumë qejf ta kem në një debat, në një përballje, dhe të më tregojë pse nuk po e nënshkruan blerjen e 100 kamionëve shtesë për Prishtinën. Çka po i pengon me mbledhë bërllokun në Prishtinë, se për mua është tejet e pakuptimtë?”, ka deklaruar Musmurati, shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ajo ka thënë se negociatat për projektin kanë nisur në vitin 2023, me përfshirjen e kompanisë rajonale “Pastrimi”, komunave të rajonit, institucioneve qendrore dhe KfW-së.

Sipas Musmuratit, financimi është paraparë në dy faza, me katër milionë euro grant nga Qeveria gjermane, 20 milionë euro kredi të butë në fazën e parë dhe 50 milionë euro kredi shtesë në fazën e dytë.

“Është dakorduar që katër milionë euro të jenë grant nga Qeveria gjermane, 20 milionë euro kredi e butë si fazë e parë dhe 50 milionë euro si fazë e dytë shtesë. Kjo po i bie 74 milionë euro investim në menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës”, ka thënë ajo.

Duke shpjeguar përfitimet e projektit, Musmurati ka përmendur 100 kamionë shtesë, 10 mijë kontejnerë dhe një qendër moderne për riciklimin e mbeturinave. Ajo ka theksuar se kryeqytetit i nevojitet një sistem që shkon përtej grumbullimit të tyre.

“Ne ende flasim veç për grumbullim. Nuk kemi një plan afatgjatë se çka ndodh pastaj kur i grumbullojmë, si mund të klasifikohen, si mund të bëhet kompostimi, riciklimi i mbeturinave e kështu me radhë”, është shprehur ajo.

Gjatë intervistës, Musmurati ka prezantuar dokumente që, sipas saj, dëshmojnë dakordimin paraprak të institucioneve për projektin. Ajo i është referuar edhe një vendimi të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për të cilin ka thënë se e obligon Ministrinë e Financave t’i ndërmarrë hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Besianë Musmurati - Nënkryetare e PrishtinësFoto: Ridvan Slivova

Po ashtu, ka deklaruar se më 15 maj 2026 i është dërguar Muratit një letër e përbashkët nga kryetari i Prishtinës, drejtuesi i “Pastrimit” dhe KfW-ja, me kërkesën për nënshkrimin e saj.

“Gjithçka është e përfunduar. Marrëveshjen e ka në tavolinë. Është kaq e thjeshtë: e çel kimikun, e nënshkruan dhe e jep për ta protokolluar”, ka deklaruar Musmurati.

Ajo ka kundërshtuar edhe arsyetimin që ua ka atribuar asamblistëve të Vetëvendosjes për mosbesim ndaj Komunës në menaxhimin e fondeve. Sipas saj, mjetet nuk do të menaxhoheshin nga Komuna e Prishtinës, ndërsa prokurimin do ta realizonte KfW-ja.

“Këto fonde i menaxhon kompania ‘Pastrimi’ dhe KfW-ja. Prokurimin e realizon vetë KfW-ja. A nuk po u besojnë gjermanëve?”, ka pyetur ajo.


Musmurati ka paralajmëruar se, sipas vlerësimit të saj, pala gjermane mund të tërhiqet nëse marrëveshja nuk nënshkruhet deri në fund të vitit.

“Unë mendoj që, në qoftë se nuk e nënshkruan deri në fund të vitit, këta kanë për t’u tërhequr. Këta veçse janë para tërheqjes. Ne i kemi lutur me këtë letër, e kemi lutur edhe KfW-në: ‘Ju lutem, jepni pak më shumë kohë’”, është shprehur ajo.

Besianë Musmurati, nënkryetare e Prishtinës me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Për gjendjen aktuale me mbeturinat, nënkryetarja ka thënë se “Pastrimi” ka vetëm 12 kamionë në dispozicion për Prishtinën. Ajo e ka lidhur mungesën e kapaciteteve me rritjen e numrit të banorëve dhe me investimet që, sipas saj, nuk janë bërë në pritje të financimit nga KfW-ja.

Megjithatë, Musmurati ka pranuar se Komuna ka përgjegjësi për situatën dhe ka njoftuar angazhimin e kompanive private për ta ndihmuar ndërmarrjen publike.

“Ne nuk kemi ndenjur duarkryq dhe kemi bërë një zgjidhje alternative, ku kemi angazhuar kompani private që kanë filluar t’i ndihmojnë kompanisë ‘Pastrimi’. Po them prapë, kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Nuk është zgjidhje afatgjatë”, ka thënë ajo.

“Përballje Podcast” në Telegrafi do ta ftojë edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të dhënë qëndrimin e tij lidhur me këto akuza nga Komuna e Prishtinës. /Telegrafi/.