Një ditë para përballjes vendimtare me Bjellorusinë, trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, zhvilloi konferencën për shtyp në Budapest, ku prezantoi pritshmëritë për ndeshjen e Ligës së Kombeve. Maran theksoi se kuqezinjtë kanë mundësinë për të konfirmuar vendin e parë në grup dhe për të mbyllur në mënyrë të suksesshme fazën e grupit, duke shtuar se përtej rezultatit synimi është të tregojnë forcën dhe vazhdimësinë e skuadrës.
Përsa u përket mungesave, trajneri u shpreh se nuk është i shqetësuar për mungesën e Ramadanit, duke nënvizuar se do të ketë mundësi dhe shanse për lojtarë të tjerë që të tregojnë vlerat e tyre. Për situatën e Muçit, Maran njoftoi se lojtari nuk stërviti në seancën e sotme dhe se do të bëhet një vlerësim përfundimtar për të përcaktuar nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen.
Sa i përket kundërshtarit, Maran vlerësoi se Bjellorusia ka qenë më e vështirë se të gjitha ekipet e tjera në grup, duke theksuar se ata kanë humbur vetëm ndaj Shqipërisë, çka tregon se ndeshja do të jetë e fortë dhe e vështirë. Megjithatë, ai siguroi se skuadra është e përgatitur dhe e vendosur, me një identitet të qartë loje, dhe se lojtarët janë gati të japin gjithçka për të arritur rezultatin e nevojshëm.
Maran gjithashtu theksoi se ekipi nuk ka bërë asnjë llogaritje për pozicionet e grupit; qasja e tyre është të hyjnë në fushë për të dhënë maksimumin, pa menduar për kombinime apo numra, dhe objektivi është të luajnë ndeshjen e tyre dhe të marrin rezultatin e dëshiruar. Konferenca u zhvillua në Budapest, një ditë para takimit të vendosur në Hungari, ku pritet të vendoset fati i grupit në Ligën e Kombeve.
Top Channel
