Një ditë përpara përballjes me Bjellorusinë, trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në Budapest, ku ka ndarë pritshmëritë e tij për këtë sfidë.
Kuqezinjtë kanë mundësinë të konfirmojnë vendin e parë në grup dhe të mbyllin në mënyrën më të mirë këtë fazë të Ligës së Kombeve. Për teknikun italian, bëhet fjalë për një ndeshje me rëndësi të veçantë, ku Shqipëria synon të tregojë forcën dhe vazhdimësinë e saj.
Maran komentoi kundërshtarin, gjendjen e lojtarëve dhe objektivat e skuadrës, duke theksuar se kuqezinjtë nuk do të bëjnë llogari për renditjen, por do të kërkojnë rezultatin e dëshiruar.
Mungesa e Ramadanit: Nuk jam i shqetësuar për mungesën e Ramadanit. Nesër do të ketë mundësi dhe shanse për lojtarë të tjerë që të jenë gati dhe të tregojnë vlerat e tyre.
Muçi: Nesër do të shohim gjendjen e Muçit. Ai nuk është stërvitur sot dhe do të bëjmë një vlerësim përfundimtar për të vendosur nëse do të jetë i gatshëm.
Kundërshtari: Ky kundërshtar na ka vendosur në vështirësi më shumë se të gjithë të tjerët në këtë grup. Ata kanë humbur vetëm ndaj nesh dhe kjo tregon se do të jetë një ndeshje e vështirë. Megjithatë, ne jemi gati dhe të vendosur. Kemi identitetin tonë dhe lojtarët janë gati të japin gjithçka për të marrë rezultatin që na nevojitet.
Llogaritë në grup: Nuk kemi bërë asnjë llogari. Ne hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin dhe nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër që lidhet me llogaritë e grupit. Objektivi ynë është të bëjmë ndeshjen tonë dhe të marrim rezultatin që dëshirojmë.


