Vojvoda pas barazimit me Izraelin: Jemi të dëshpëruar, na mungoi vetëm goli
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, është shprehur i dëshpëruar pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, duke theksuar se Dardanët krijuan më shumë mundësi për të fituar ndeshjen, por nuk arritën t'i konkretizonin rastet.
Vojvoda, pas përfundimit të takimit, tha se Kosova kishte bërë një paraqitje të mirë dhe kishte krijuar raste të shumta, por mungesa e golit dhe kartoni i kuq ndikuan në rrjedhën e ndeshjes.
“Jemi të dëshpëruar, sepse sipas lojës kemi pasur shumë më shumë raste për ta fituar ndeshjen, por nuk arritëm të shënonim gol. Pastaj ndodhi kartoni i kuq dhe loja ndryshoi”, deklaroi Vojvoda.
Mbrojtësi kosovar theksoi se skuadra kishte krijuar mundësi të rrezikshme përmes aksioneve të ndryshme, përfshirë edhe goditjet nga këndi, por problemi kryesor mbeti finalizimi.
“Mungoi goli. Raste kemi pasur, kemi krijuar mundësi si ekip, kemi krijuar raste nga rivëniet këndore dhe kemi bërë vrapime. Na mungoi vetëm goli”, u shpreh ai.
Vojvoda u pyet edhe për mungesën e Florent Muslijës, të cilin përzgjedhësi Franco Foda e kishte përmendur pas ndeshjes si një futbollist që mund të ndihmonte në krijimin e rasteve dhe pasimin e fundit.
Megjithatë, mbrojtësi i Kosovës theksoi se skuadra duhet të marrë përgjegjësi me futbollistët që ka në dispozicion, pa u arsyetuar me mungesat.
“E dimë që Florenti është pjesë e rëndësishme, por nuk duhet t'i përmendim lojtarët që nuk janë këtu. Ata që luajnë duhet të japin përgjegjësi, kështu që ne që jemi këtu duhet ta marrim përgjegjësinë. Na mungoi goli”, përfundoi Vojvoda./Telegrafi/

































