Dardanët nuk arritën të thyenin mbrojtjen e Izraelit dhe ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” për Grupin B3 të Ligës së Kombeve përfundoi 0-0. Kosova dominoi takimin dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës dhe mori vetëm një pikë në një përballje ku fitorja ishte objektivi kryesor.
Skuadra e udhëhequr nga Franco Foda nisoi ndeshjen me agresivitet dhe mbylli pjesën e parë me 10 goditje drejt portës kundërshtare. Rasti më i pastër erdhi në fund të fraksionit të parë, kur Lindrit Kamberi goditi traversën me kokë, duke qenë shumë pranë golit. Edon Zhegrova ishte ndër lojtarët më aktivë në sulm, ndërsa Milot Rashica provoi të rrezikonte portën e Izraelit. Portieri Amir Saipi u testua vetëm një herë nga miqtë gjatë 45 minutave të para.
Pjesa e dytë solli një zhvillim të pafavorshëm për Kosovën: Veldin Hoxha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 67-të dhe la skuadrën me dhjetë lojtarë. Edhe në inferioritet numerik, dardanët vazhduan të kërkonin golin, ndërsa Foda bëri ndryshime duke aktivizuar Fisnik Asllanin dhe Baton Zabërgjën, por rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare.
Ky ishte barazimi i dytë pa gola mes Kosovës dhe Izraelit në këtë edicion, pasi edhe përballja e parë, e zhvilluar në Debrecen më 1 tetor, përfundoi 0-0. Me këtë rezultat, Kosova ngjitet në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Izraeli mbetet me 3. Dardanët mbeten në garë për vendin e dytë në Grupin B3; pozicioni përfundimtar do të varet edhe nga rezultati i sfidës Austri–Irlandë.
Vendimtare për objektivin e përfundimit në vendin e dytë dhe sigurimin e një vendi në fazën play-off për ngjitjen në Ligën A pritet të jetë transfertë e 17 nëntorit në Dublin, ku Kosova do të përballet me Irlandën.
