Raporti zbulon shkelje në rastin e Arlinda Zekajt, kërkohen masa disiplinore ndaj zyrtarëve të Punëve Sociale

14/11/2026 16:19

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka evidentuar shkelje në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

Raporti i hartuar pas inspektimit ka konstatuar mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

“Shkeljet konsistojnë në dorëzimin e raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026; Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026”, njofton Ministria.
Tutje thuhet se nuk është realizuar monitorimi që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.

Evidentohet moszbatimi i procedurave standarde të menaxhimit të rastit dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën e menaxheres së rastit.
Përmes këtij raporti QPS-së në Pejë i rekomandohet që menaxheri i rastit të sigurojë mbikëqyrje të vazhdueshme për djalin 12-vjecar të Arlinda Zekajt dhe të koordinojë shërbimet varësisht nevojave të fëmijë. Rekomandohet rritja e stafit profesional, ritrajnimi i atyre aktualë dhe përdorimi i formularëve standard të menaxhimit të rasteve.

Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhirit ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore. Tutje, raporti rekomandon rritjen e kapaciteteve të stafit profesional dhe zhvendosjen e drejtorisë për Mirëqenien Sociale për të mundësuar punën e pavarur të QPS-së.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj, pasi ishte kthyer nga stacioni policor ku kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje.

49-vjecarja në vazhdimësi kishte kërkuar ndihmë nga institucionet e Kosovës, gjë që kishte munguar.

Top Channel