
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar rreth orës 14:10 në aksin rrugor Thumanë–Fushë-Krujë, në afërsi të Luzit.
Viktima është një 65-vjeçar, i identifikuar si Paulin Filopati, nga Mirdita, i cili është përplasur nga një automjet tip “Mercedes-Benz” teksa dyshohet se po tentonte të kalonte rrugën në këmbë. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në prani të bashkëshortes së tij.
Automjeti drejtohej nga një 19-vjeçar, me inicialet F. B., i cili është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Paraprakisht, dyshohet se këmbësori ka ndërprerë rrugën në mënyrë të pakujdesshme, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet lidhet edhe me shpejtësinë e automjetit. Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.