Reshjet intensive që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës kanë shkaktuar problematika në disa akse rrugore, por deri më tani nuk raportohen përmbytje në banesa. Prefektura bën me dije se situata po monitorohet në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Në Njësinë Administrative Shalë vijojnë punimet për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit në rrugët e bllokuara si pasojë e reshjeve të dendura.
Problematika raportohet edhe në fshatin Kamicë, në Njësinë Administrative Qendër të Bashkisë Malësi e Madhe, ku prurjet e larta të Përroit të Thatë kanë penguar aksesin rrugor. Megjithatë, sipas Prefekturës, uji nuk ka depërtuar në banesa.
Ndërkohë, në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk janë raportuar problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar reshje të konsiderueshme në zonat malore, ndërsa në zonat fushore sasia e reshjeve ka qenë rreth 25 milimetra. Deri tani nuk raportohen dëmtime apo probleme në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga ujërat.
Autoritetet po vijojnë gjithashtu inspektimet përgjatë lumit Kir për të ndjekur ndryshimet e prurjeve dhe situatën në zonat përreth.
Prefektura u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave malore, të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të shmangin kalimin në rrugët e dëmtuara dhe pranë përrenjve me prurje të larta, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
Situata mbetet nën monitorim dhe autoritetet bëjnë me dije se publiku do të informohet për çdo zhvillim të ri.


