LIVE/ Asambleja e PS në Lalëz, Rama kërkon votim për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Kryeministri: Në 2027 nisin përgatitjet për traktatin e anëtarësimit në BE Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon rritje të financimit për pushtetin vendor, por sipas Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, fondet e planifikuara nuk shoqërohen me një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve që pritet të sjellë reforma territoriale. Viti i ardhshëm pritet të shënoj nisjen e kalimit nga 61 në 46 bashki por buxheti sipas institutit vijon të financojë strukturën ekzistuese, pa parashikuar në mënyrë të detajuar se si do të organizohet dhe financohet tranzicioni.
Transferta e pakushtëzuar për bashkitë parashikohet në 49.4 miliardë lekë nga 47.3 miliardë që ishte në projektbuxhetin e vitit 2026, një rritje prej rreth 2.4%. Megjithatë Instituti thekson se kjo rritje nominale nuk përkthehet automatikisht në më shumë autonomi financiare, investime apo shërbime më cilësore, pasi një pjesë e saj lidhet me detyrimet ekzistuese dhe efektet e pagave.
“Kundërshtimi ynë nuk është ndaj kësaj vazhdimësie, por ndaj mungesës së një skenari të dallueshëm reformator në dokumentet e shqyrtuara: kosto e konsolidimit, kursime neto, produktivitet më i lartë, shërbime më cilësore dhe garanci financiare për territoret që bashkohen”, ka deklaruar Instituti për Bashkitë.
Një nga problematikat kryesore lidhet me mungesën e një plani financiar për bashkitë që do të bashkohen. Instituti vëren se në projektbuxhet janë parashikuar rreth 5.9 miliardë lekë për 15 bashkitë që përfshihen në procesin e bashkimit por këto fonde nuk mund të konsiderohen kursime nga reforma. Mungon një përllogaritje e kostove të tranzicionit, detyrimeve që do të trashëgohen, shpenzimeve për administratën dhe kursimeve reale që mund të gjenerohen.
Një tjetër shqetësim është mënyra e shpërndarjes së fondeve. Formula aktuale llogarit financimin për 61 bashki ndërsa me hartën e re ndryshojnë popullsia, dendësia dhe nevojat për shërbime. Sipas Institutit, pa një simulim të ri të formulës për 46 bashkitë, ekziston rreziku që disa territore, veçanërisht zonat rurale dhe malore, të përballen me financim të pamjaftueshëm dhe mbulim më të dobët të shërbimeve.
“Projektbuxheti 2027 nuk duhet të jetë vetëm buxheti i 61 bashkive në muajt e parë të vitit, ai duhet të jetë edhe buxheti i kalimit të planifikuar drejt 46 bashkive”, ka deklaruar Instituti për Bashkitë.
Instituti ngre pikëpyetje edhe për fondin prej 4.5 miliardë lekësh për pagat, i cili mbetet në të njëjtin nivel me projektbuxhetin e vitit 2026. Sipas Institutit reforma duhet të sjellë jo vetëm riorganizim administrativ por edhe ulje të mbivendosjeve, rritje të produktivitetit dhe përmirësim të shërbimeve.
Sa i përket grantit të performancës prej 200 milionë lekësh në dokument Instituti shprehet se konsiderohet i paqartë pasi nuk janë përcaktuar paraprakisht përfituesit, afatet dhe treguesit mbi të cilët do të vlerësohen bashkitë e reja.
Në përfundim Instituti për Bashkitë kërkon që Ministria e Financave të paraqesë një plan financiar për periudhën 2027-2029 me kostot e reformës, kursimet e pritshme dhe garancitë për vazhdimësinë e shërbimeve.
Sipas tyre suksesi i reformës nuk duhet të matet vetëm me reduktimin e numrit të bashkive por me atë që qytetarët do të marrin realisht nga ky riorganizim.
Top Channel