Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste dhe fjalimit të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “asambleja e paranojës, terrorit dhe censurës”.
Në një reagim publik, Këlliçi akuzon kryeministrin se shmangu përgjegjësinë për aferat dhe korrupsionin, ndërsa zgjodhi të mos dëgjojë kërkesat e qytetarëve për ndryshim. Sipas deputetit demokrat, mbledhja u shoqërua me masa policore dhe ndërprerje të valëve të telefonisë, ndërsa kamerat u larguan gjatë diskutimeve dhe u rikthyen vetëm për transmetimin e fjalimit të Ramës.
Këlliçi ka kundërshtuar edhe deklaratat e kryeministrit për Belinda Ballukun, duke pretenduar se Rama e ka mbrojtur atë përmes votimit në Kuvend, ku 82 deputetë votuan kundër kërkesës për autorizimin e arrestimit të saj. Ai përsërit akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres për abuzime me fondet publike, ndërsa kritikon Ramën edhe për qëndrimet e tij mbi ekonominë dhe mediat.
Në fund, deputeti i PD-së shprehet se Rama nuk ka më asgjë për t’i ofruar as Partisë Socialiste dhe as vendit.
Reagimi i plotë i Belind Këlliçit:
“Asambleja e paranojës, e terrorit dhe e censurës!
Asambleja e Edi Ramës tregoi sot krizën e thellë ku ndodhet kjo forcë politike, e përfshirë në korrupsion dhe afera dhe e inkriminuar deri në palcë. Rruga që konfirmoi edhe sot sunduesi nuk ishte transparenca, llogaridhënia apo mbajtja e përgjegjësisë. Ai vendosi edhe një herë të mos dëgjojë zërin e qytetarëve që kërkojnë ndryshim dhe largimin e tij.
Përkundrazi, u angazhua më shumë në penalizimin e protestuesve dhe mori masa ndaj armiqve të brendshëm, duke përjashtuar ata dy zëra të vetëm që kanë arritur të artikulojnë diçka kundër regjimit.
Mbledhja nisi me masa policore, duke bllokuar valët e telefonave, çka dëshmon paranojën dhe mungesën e besimit brenda llojit. Kamerat u larguan dhe u kthyen vetëm për të dëgjuar të njëjtin fjalim të autokratit. Edhe kjo asamble nuk e pengoi atë të mashtronte pa turp.
Edi Rama tha se nuk e ka mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, ndërkohë që është fakt që e kanë parë të gjithë shqiptarët se ai rreshtoi 82 kartona për t’i dhënë asaj imunitet dhe paprekshmëri, dhe për të penguar SPAK-un të bënte hetimet si duhet.
Belinda Balluku shëtit lirshëm dhe ushtron pushtet duke pasur 5 akuza dhe 13 vepra penale, e akuzuar për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro të buxhetit.
Ai foli për ekonominë, duke mohuar qindra milionë euro që u janë marrë qytetarëve nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij dhe janë bërë vila luksoze ose janë transferuar jashtë. Të gjitha këto, shqiptarët i dinë.
Fajësoi sërish mediat dhe agjentët e huaj që bëjnë komplote kundër tij.
Me një sallë ku nuk pipëtin askush dhe ku në rreshtin e parë shumica janë subjekte të drejtësisë, kreu i organizatës ka kryer edhe ato pak operacione, shkëmbime vendesh me të vetmit njerëz që ka në dispozicion, të cilët ende nuk kanë shkuar në dyert e SPAK-ut.
Edi Rama nuk ka më asgjë për të ofruar, as për partinë e tij dhe as për vendin. Ai vetëm thellon krizën e vendit, me paranojat dhe frikën që ka se pa pushtetin që e mban me forcë do të dalë para drejtësisë dhe do të lajë hesapet për gjithë të këqijat që i ka bërë vendit.”
