Rama: PS nuk bën avokatin e askujt. Hetimet për Ballukun nuk u cenuan. Veliaj mbahet në burg, por s’të lënë as ta zëvendësosh

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste çështjet e drejtësisë që lidhen me hetimet për Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn, duke mohuar se ai apo Partia Socialiste kanë ndërhyrë për të mbrojtur ndonjërin prej tyre nga hetimet.
Rama tha se në rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, PS ka qenë kundër ngritjes së kartonit për paraburgimin e saj pa u zhvilluar gjyqi, ndërsa theksoi se hetimet kanë vijuar dhe çështja ka përfunduar në gjykatë.
Kryeministri u ndal edhe te çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar paraburgimin e një kryetari bashkie të zgjedhur pa një vendim gjyqësor si absurditet, por theksoi se PS nuk do të bëhet avokati i askujt.
“U ngrit një furi se si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. E vërteta është aty, hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. Edhe për Veliajn, po do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq. Nuk mund të thuash: po ti që jo, ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. O njërën, o tjetrën. Të dyja bashkë janë një nonsens. Por asnjëherë s’kam thënë dhe s’do them në lidhje me meritën e çështjes”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


