Rama tregon pse nuk i hoqën imunitetin Ballukut, flet edhe për Veliajn: Paraburgimi i tij absurd

Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për çështjet Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, duke theksuar se Partia Socialiste dhe ai personalisht nuk bëjnë avokatinë e askujt përballë drejtësisë.
Rama u shpreh se nuk ka mbrojtur publikisht Ballukun, ndërsa për rastin e Veliajt ka kundërshtuar paraburgimin, të cilin e cilësoi absurd dhe çështje që lidhet me demokracinë.
Ai argumentoi se një kryetar bashkie i zgjedhur nuk mund të mbahet në paraburgim pa gjyq, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij për Ballukun lidhej me kundërshtimin e kërkesës për paraburgim në një kohë kur hetimet vijonin.
Kryeministri foli gjithashtu për paketën e masave që lidhen me paraburgimin, duke deklaruar se Shqipëria ka një numër të lartë personash që qëndrojnë në burg pa u gjykuar.
“Kush ka një problem me drejtësinë e ka personal, të vetin. Me avokatët e vet…unë dhe PS nuk bëjmë avokatinë e askujt. Gjeni një fjalë timen, ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe më thoni. Nuk e gjeni dot, për asnjërin dhe për asnjërën.
Po, do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje që është e demokracisë. E kam thënë e përsëris. Nuk mund t’ia marrësh kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq.
Por nuk mund të thuash pastaj që ‘jo, ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë’. O njëra, o tjetra.
Në rastin e Ballukut kam thënë se nuk ka arsye për të ngritur dorën, se erdhi puna që ne të ngremë kartonin për ta paraburgosur një tjetër koleg pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Sot e vërteta është aty e gjitha. Hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Nuk kishte pengesë.
Ishte pjesë e një qasjeje të cilën unë dhe të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. Kemi punuar më shumë se dy vite me gjithë paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës. Kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë.
Ne jemi për hetime dhe gjykime të pavarura, por ka dhe disa balanca. Nuk jemi në Mesjetë, ku turma kërkon gjak dhe kërkon turrë drush.
Ligji nuk ka lidhje me figurat e larta. Ka lidhje me shumë bij nënash që janë, sipas zakonit dhe Kushtetutës, të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen. Rrinë në burg. Po pse?
Mbajmë në burg pa gjyq edhe të huaj, turistë, kalamaj që i kapim me hashash dhe rrinë atje brenda, presin që të gjykohen. Ky ka qenë qëndrimi. Të tjerat janë dokrra hini. Paketa e re është në konsultim”, tha Rama.




