Vrasja e Arlinda Zekajt mund të ishte parandaluar? Rexhepi dhe Berisha kërkojnë përgjegjësi nga institucionet

Vrasja e Arlinda Zekajt ka tronditur opinionin dhe ka nxitur sërish diskutime për mënyrën si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës në familje. Ajo është gruaja e tetë që vritet nga familjarët këtë vit në Kosovë dhe viktima e 67-të e këtij lloji që nga viti 2010.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë e mbrojtje nga institucionet e Kosovës, duke raportuar dhunë në familje dhe kërcënime nga bashkëshorti, me të cilin ishte ndarë. Më 25 tetor 2026, megjithatë, ajo u vra në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi u kthye në shtëpinë e përbashkët e shoqëruar nga Policia.

Të lidhura

None found

Ngjarja ka ngritur pyetje për reagimin e institucioneve, hapat që u morën për ta mbrojtur dhe nëse ndërhyrja më e shpejtë e më efikase do ta kishte shmangur vrasjen.

Pas vrasjes, u shtuan thirrjet për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale. Kuvendi i Kosovës themeloi një Komision Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.

Komisioni mori miratimin me 90 vota për. Ai ka 11 anëtarë dhe mandat deri në gjashtë muaj. Në krye u zgjodh Burim Ramadani, ndërsa Adnan Rrustemi u emërua nënkryetar.

Komisioni do të hetojë përgjegjësitë institucionale në rastin e Arlinda Zekajt dhe do të shqyrtojë gjithashtu mënyrën si trajtohen dhuna ndaj grave dhe ajo ndaj fëmijëve në familje.

Një prej çështjeve kryesore që pritet të marrë përgjigje nga hetimi është nëse vrasja e Zekajt mund të ishte parandaluar po të kishin vepruar institucionet në kohë. Komisioni synon të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe të propozojë hapa për të parandaluar raste të ngjashme. Në përfundim të punës, raporti i tij do t’i dorëzohet Kuvendit.

Rexhepi: Ligjet nuk zbatohen sa duhet, ndërsa politika ndëshkimore ndaj dhunuesve është e butë

Image

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Komisionit Hetimor për rastin, Emilija Rexhepi, i tha “Bota sot” se dhuna ndaj grave është një problem i rëndë shoqëror, i lidhur edhe me mentalitetin patriarkal.

Ajo bëri të ditur se hetimi parlamentar do të nisë me Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë. Më pas do të shqyrtohen roli i koordinatorëve për mbrojtjen nga dhuna në familje, prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të identifikohen përgjegjësitë institucionale.

Sipas Rexhepit, ende nuk ka kaluar kohë e mjaftueshme për të përcaktuar se ku ka dështuar sistemi. Ajo e cilësoi zbatimin e pamjaftueshëm të ligjeve dhe politikën ndëshkimore tepër të butë ndaj dhunuesve si problemet kryesore në Kosovë.

“Dhuna ndaj grave është një çështje serioze për gjithë shoqërinë, jo vetëm për institucionet. Modelet patriarkale vijojnë të jenë të pranishme. Burrat duhet të pranojnë se gratë kanë të drejtë të barabartë të marrin vendime vetë dhe të përcaktojnë si do ta jetojnë jetën. Askush nuk mund t’ua mohojë këtë liri, aq më pak duke përdorur dhunë.

Për punën e Komisionit Hetimor Parlamentar, disa deputetë mendojnë se hetimi për përgjegjësitë duhet të niset nga Qeveria e të zbresë në nivelet më të ulëta të institucioneve. Unë kam një qasje tjetër: hetimi duhet të nisë nga poshtë e të shkojë lart. Fillimisht duhet parë puna e Qendrës për Punë Sociale, pastaj ajo e Policisë, që është e para në vendin e ngjarjes, e më tej e koordinatorëve për mbrojtjen nga dhuna në familje, prokurorëve dhe gjyqtarëve, deri në nivelet më të larta.

Kjo qasje mund të na ndihmojë të kuptojmë më saktë kush veproi, kur dhe në çfarë mënyre, nëse institucionet reaguan me kohë dhe nëse pati lëshime. U kemi kërkuar institucioneve përkatëse të përgatisin e të dorëzojnë çdo dokument që kanë për rastin e Arlinda Zekajt. Po ashtu, kemi hapur thirrje për angazhimin e ekspertëve që do të ndihmojnë në këtë proces.

Hetimi është ende në fazat e para, ndaj nuk do të ishte e përgjegjshme të thosha paraprakisht se cila pjesë e sistemit dështoi ose çfarë duhet ndryshuar. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë dokumentet, faktet dhe dëshmitë e personave përgjegjës, të përcaktojë çfarë ka ndodhur dhe të propozojë masa.

Besoj se Kosova ka një bazë të mirë ligjore për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave; kam marrë pjesë edhe vetë në hartimin e saj. Vështirësia më e madhe është zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve në praktikë. Po aq shqetësuese është politika ndëshkimore, e cila, sipas vlerësimit tim, është tepër e butë me dhunuesit dhe autorët e vrasjeve”, tha deputetja Rexhepi.

Rexhepi kërkoi që institucionet të angazhohen më seriozisht për të parandaluar dhunën ndaj grave, të zbatojnë masat mbrojtëse dhe të investojnë më shumë në edukimin e brezave të rinj për barazi e respekt të ndërsjellë.

Ajo nënvizoi se gratë duhen mbrojtur sa janë gjallë, jo të kërkohet drejtësi vetëm pasi të jenë vrarë.

“Numri i lartë i grave të vrara në vitet e fundit dhe tri rastet e regjistruara vetëm gjatë tetorit na detyrojnë ta marrim më seriozisht vlerësimin e rrezikut, zbatimin e saktë të masave mbrojtëse dhe përcaktimin e përgjegjësisë së çdo institucioni që ka për detyrë të mbrojë viktimat e dhunës.

Duhet të shtojmë edhe investimet në edukimin dhe arsimimin e të rinjve. Kjo punë nis në familje, ku prindërit shpesh bëjnë dallime mes djemve dhe vajzave, vazhdon në mjedisin ku jetojmë e në shkollat fillore dhe të mesme, dhe përfshin edhe punësimin e grave në institucione. Fëmijët duhen rritur me respekt të ndërsjellë, barazi dhe zgjidhje paqësore të konflikteve, si dhe me bindjen se askush nuk ka të drejtë të kontrollojë jetën e një personi tjetër.

Mesazhi im është ky: gratë kanë nevojë për mbrojtje sa janë gjallë, jo për drejtësi vetëm pasi një burrë ua merr jetën”, përfundoi ajo.

Berisha: Për mbrojtjen e Arlindës dhe fëmijës duhej të përgjigjeshin disa institucione

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha për “Bota sot” se në rastin e Arlinda Zekajt nuk dështoi vetëm një hallkë, por disa institucione me detyra konkrete për mbrojtjen e viktimës dhe fëmijës.

Image

Sipas saj, Qendra për Punë Sociale duhet të shpjegojë si u intervistua fëmija; Prokuroria, si u trajtua rasti; Gjykata, çfarë mase mbrojtëse vendosi; ndërsa Policia, si e vlerësoi dhe menaxhoi rrezikun.

Berisha theksoi se çdo institucion duhet të japë llogari për veprimet ose mosveprimet e veta. Mbrojtja e viktimës, shtoi ajo, nuk duhet të jetë formalitet, por duhet të sigurojë mbrojtje të vërtetë.

“Në këtë rast përgjegjësia nuk lidhet vetëm me një hallkë. Disa institucione kishin detyra të qarta për të mbrojtur viktimën dhe fëmijën, por dështuan.

Qendra për Punë Sociale duhet të sqarojë si e intervistoi fëmijën dhe pse nuk respektoi dispozitat ligjore që përcaktojnë mënyrën e intervistimit dhe mbrojtjes së fëmijëve në rastet e dhunës në familje. Intervistimi nuk është një veprim formal. Mënyra si merret deklarata e fëmijës dhe vlerësohet ajo që ai tregon mund të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimin e rrezikut dhe në mbrojtjen e tij.

Prokuroria mban përgjegjësi për trajtimin e rastit. Nëse rasti i dhunës në familje dhe informacionet mbi rrezikun nuk janë trajtuar sipas kërkesave ligjore, kjo përbën dështim të rëndë institucional. Prokuroria nuk duhet të mjaftohet me trajtim formal, por duhet të sigurohet që veprimet e nevojshme ligjore të kryhen në kohë, sidomos kur ka shenja se gjendja po përkeqësohet dhe jeta e viktimës është në rrezik.

Edhe Gjykata duhet të japë llogari për masën e miratuar. Kur viktima përballet me rrezik, është tejet shqetësuese që urdhri mbrojtës të caktojë vetëm dy metra largësi mes saj dhe personit ndaj të cilit është vendosur masa. Një urdhër i tillë duhet të ofrojë siguri reale, jo të jetë thjesht vendim që përmbush një procedurë.

Policia ka detyrë të drejtpërdrejtë të vlerësojë rrezikun. Ky vlerësim nuk duhet të jetë një formular që plotësohet e pastaj arkivohet. Ai duhet të tregojë nivelin e rrezikut, masat që duhen marrë dhe urgjencën e mbrojtjes. Shenjat e përshkallëzimit të dhunës, kërcënimet, shkeljet e masave dhe faktorët e tjerë të rrezikut duhet të përcaktojnë drejtpërdrejt nivelin e mbrojtjes.

Prandaj duhet të kërkohet llogari nga secila hallkë: QPS-ja për trajtimin e fëmijës, Prokuroria për mënyrën e trajtimit të rastit, Gjykata për masën mbrojtëse që miratoi dhe Policia për vlerësimin e menaxhimin e rrezikut”, deklaroi ajo.

Berisha tha se parandalimi i rasteve të tilla kërkon përmirësim të vlerësimit të rrezikut, llogaridhënie institucionale dhe monitorim e zbatim të vërtetë të urdhrave mbrojtës.

Ajo theksoi se rreziku ndaj viktimave duhet trajtuar si kërcënim për jetën, jo si çështje administrative.

“Duhet të ndryshojë mënyra e vlerësimit të rrezikut. Ai duhet të përshtatet me zhvillimet dhe të rishikohet sa herë që dalin informacione të reja, ndërsa ndryshimet duhet të sjellin masa konkrete mbrojtëse.

Po ashtu, çdo institucion duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse një polic nuk e vlerëson rrezikun siç duhet, Prokuroria nuk e trajton rastin në përputhje me ligjin, Gjykata cakton një masë që nuk garanton siguri reale, apo QPS-ja nuk ndjek procedurat për trajtimin e fëmijës, nuk mjafton të thuhet se ‘sistemi dështoi’. Duhet të përcaktohet kush nuk e përmbushi detyrën, përse ndodhi kjo dhe çfarë masash do të merren për të mos lejuar përsëritjen.

Urdhrat mbrojtës duhet të mbikëqyren dhe të zbatohen në praktikë. Viktima nuk mund të lihet vetëm me një vendim gjykate dhe me pritjen që personi i dhunshëm do ta respektojë atë.

Mbi të gjitha, institucionet duhet ta shohin rrezikun si kërcënim për jetën, jo si procedurë administrative.

Rasti i tetë nuk duhet të shndërrohet në një shifër tjetër në statistikat e grave të vrara. Ai duhet të shërbejë si alarm për secilin institucion që ka pasur mundësi të ndërhyjë”, përfundoi ajo.


Shtuar më 14.11.2026 12:27

grandpashabet facebookBursa Escortgrandpashabet facebookjojobetgrandpashabet resmi girişgrandpashabet resmi girişgrandpashabet resmi girişgrandpashabetgrandpashabet girişkahraman haberdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbet girişonline notaryxbahisgiftcardmall/mygiftextrabetjojobetkavbetgrandpashabet giriş