Ndërsa projeksionet demografike paralajmërojnë një të ardhme alarmante për Shqipërinë, Edi Rama vijon të prezantojë një realitet krejt tjetër në fjalimet e tij politike. Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, ai u ndal gjatë te pretendimet për transformimin e vendit, duke kujtuar se kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013, Tirana dhe qytetet e tjera, sipas tij, ishin thjesht vendbanime pa qytet. Rama foli për borxhet, mungesën e shpresës, investimet dhe transformimin urban, duke i paraqitur këto si dëshmi të suksesit të qeverisjes së tij. Ndërsa u vodhën e shpërdoruan miliarda lek për Rilindjen urbane, e cila sot është një masiv pllakash nëpër qytete të boshtatisura nga shpopullimi, kryeministri vijon t’i marrë shqiptarët për njerëz pa memorie.
Por përtej propagandës së Edi Ramës, të dhënat demografike tregojnë një panoramë shqetësuese për të ardhmen e vendit. Sipas projeksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, popullsia e Shqipërisë, nga rreth 2.8 milionë banorë në vitin 2024, parashikohet të zbresë në rreth 1.2 milionë deri në vitin 2100. Një tkurrje dramatike, që e vendos Shqipërinë përballë një prej sfidave më të rënda demografike në Evropë.
Shifrat flasin për një vend që po humbet një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa emigracioni, rënia e lindjeve dhe plakja e shoqërisë po thellojnë krizën demografike. Pas statistikave qëndrojnë familje të larguara, të rinj që ndërtojnë jetën jashtë vendit dhe qytete e fshatra që po përballen me boshatisjen.
Në fjalimin e tij, Rama preferoi të fliste për qytetet që janë kthyer në destinacione turistike, për shkollat e reja dhe për transformimin urban, por pa u ndalur te pyetja thelbësore: kush do të jetojë në këto qytete nëse Shqipëria vazhdon të humbasë banorët me këto ritme?
Pjesë nga fjala propagandistike e Ramës:
“Para nesh vendi ishte një libër i madh borxhesh', Rama: Tirana dhe rrethet ishin vendbanime pa qytet Në një fjalim mbi ecurinë e integrimit evropian, u bë thirrje për bashkimin e të gjitha mendjeve, vullneteve dhe energjive për të bërë realitet traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë proces si faqen e fundit të një rrugëtimi të gjatë historik. Gjatë fjalës u kujtua gjendja e vendit në vitin 2013, e cila u përshkrua me borxhe në të gjithë sektorët, kërcënim kolapsi financiar dhe mungesë shprese, përpara se reforma në energji të shënonte nisjen e një faze të re shtetbërjeje. U theksua se pas këtij momenti qëndrojnë vite pune kolosale dhe tensione të forta, veçanërisht lidhur me reformën në drejtësi dhe përplasjen me interesa të rrënjosura. Po ashtu, u vu në dukje transformimi urban i qyteteve si Tirana, Shkodra, Berati, Lezha, Vlora dhe Belshi, të cilat nga hapësira të ngjashme me vendbanime të braktisura janë kthyer në pika me turma turistësh. Përveç kësaj, u vlerësua puna e mijëra nëpunësve të administratës publike që shërbejnë me dinjitet. Në mbyllje, u përmend edhe dëshmia e një gazetari, i cili kishte veçuar cilësinë e lartë të shkollave të reja në Kamëz në krahasim me qytetin e tij.”
© SYRI.net
Berisha: Shqipëria me Ramën nuk ka asnjë perspektivë evropiane, samiti i NATO-s u anulua për shkak të lidhjeve të tij me krimin
Ministri që dhunoi rininë/ U dogj nga sondazhet, Rama shkarkon Veliajn dhe emëron Demon si drejtues politik të Tiranës
'Mos shpif për nënën time!'/ Surroi akuza të rënda Baton Haxhiut: Në 1998 bashkëpunoje me shërbimin sekret serb! Koordinoje...