Kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë angazhim dhe mobilizim nga strukturat e Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Gjirin e Lalzit. Duke iu referuar mandatit të marrë në zgjedhjet e fundit, Rama deklaroi se shumica parlamentare nuk është siguruar për pushtetin, por për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë këtij objektivi historik, ndërsa kujtoi kritikat gjatë fushatës zgjedhore ndaj kërkesës së socialistëve për një shumicë më të madhe parlamentare.
Sipas Ramës, nëse PS nuk do të kishte marrë këtë mandat, vendi do të rrezikonte të mbetej i bllokuar dhe qeveria nuk do të mund të miratonte ligjet e nevojshme për procesin e integrimit evropian.
Ai kërkoi që përgjegjësinë për realizimin e këtij objektivi ta ndiejë çdo socialist individualisht, duke bërë thirrje për aktivizimin e të gjitha strukturave dhe qelizave të partisë.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
“Shqipëria e sotme jo vetëm që ka një perspektivë, por ka një perspektivë më konkrete se kurrë. Ndodhet sot më afër se kurrë takimit të shumëpritur me historinë.
Mos harroni që kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Kush kujtohet kur gjithë këto grykë që nxirrnin nga bulçitë mediatike fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës, thoshin: Për çfarë i duhet këtij një shumicë më e madhe se kjo që kishte? Do të bëhet si Putini, si Erdogani? Për kë i duhet kjo?
Parafytyrojeni sikur populli shqiptar të ishte po aq i mangët sa këta që bënin këtë pyetje dhe populli të mos na kishte dhënë mandatin që na dha. Ne sot do të ishim të ngecur. Do të ishim pengje, se nuk do të kalonim dot asnjë nga shumë ligjet që kërkojnë pikërisht fuqinë e kësaj shumice që ne morëm dhe e morëm atë shumicë për Shqipërinë në BE.
Nuk e kemi marrë për asgjë tjetër, vetëm për Shqipërinë në BE në vitin 2030. Është përgjegjësi që sot duhet ta ndiejë individualisht secili, duke reflektuar ato që folëm më parë.
Për të qenë atje në pjesën e tij të frontit aktiv, të gjitha qelizat e PS-së duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizimit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse neve na ka rënë barra, por na është shkruar edhe fati të jemi në këtë moment historik me këtë përgjegjësi.
Ta përgatisim atë takim ku Shqipëria do të jetë ylli i ri i Europës dhe Europa do të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe”, u shpreh Rama.
