AUV nis shpërndarjen e 400 mijë vaksinave kundër lisë te delet dhe dhitë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur shpërndarjen te shoqëritë veterinare të 400 mijë dozave të vaksinës kundër lisë te delet dhe dhitë, të siguruara si donacion nga Bashkimi Evropian.
Vaksinimi në terren pritet të fillojë të mërkurën, ndërsa me këtë fushatë synohet të përfshihen 438.042 kafshë në 3.417 tufa, në të gjitha rajonet e vendit.
“Rezultatet e analizave laboratorike të kryera në Fakultetin e Mjekësisë së Veterinarisë kanë konfirmuar cilësinë, fuqinë dhe rregullsinë mikrobiologjike të vaksinave, të cilat janë ndër më të mirat për mbrojtjen e bagëtive nga kjo sëmundje”, thonë nga AUV-i.
Sipas AVU-së, vaksinimi do të zhvillohet në tri faza, ndërsa faza e fundit do të përfshijë edhe kafshët që nuk kanë mundur të vaksinohen gjatë dy fazave të para, për shkak të moshës, gjendjes shëndetësore apo vlerësimit veterinar. Nga fillimi i vitit deri më tani janë regjistruar 115 vatra të sëmundjes, kanë ngordhur 875 kafshë, ndërsa 9.359 të tjera janë asgjësuar.
“Fushata do të përfshijë delet dhe dhitë klinikisht të shëndetshme, si dhe kategoritë e tjera të kafshëve që plotësojnë kushtet për vaksinim, në përputhje me udhëzimet për përdorimin e vaksinës dhe vlerësimin e veterinerit zyrtar”, shtojnë nga AUV-i.




































