Një sasi lënde plasëse është vendosur në derën e një banese në zonën e Xhamllikut në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët. Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës, në rrugën “Sadik Petrela”.
Sipas raportimeve, lënda plasëse ishte vendosur në katin e parë të pallatit, në hyrjen e banesës. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar shqetësim dhe frikë te banorët e zonës.
Pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet e para dhe nisën hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave.
Pronaria e banesës është marrë në pyetje nga hetuesit. Ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të ketë vendosur lëndën plasëse.
Mësohet se gruaja ishte e divorcuar prej disa vitesh dhe jetonte në banesë së bashku me dy fëmijët e saj, një djalë dhe një vajzë.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar motivet e kësaj ngjarjeje dhe për të identifikuar personin ose personat përgjegjës.


