Kryeministri Edi Rama e cilësoi si historik rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen, në vitin 2027, të përgatitjeve për hartimin e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, kreu i qeverisë tha se vendi ndodhet në pikën më të lartë të procesit të integrimit evropian.
Rama e konsideroi këtë rekomandim si një zhvillim që shënon një moment të veçantë në historinë e Shqipërisë, duke theksuar se për herë të parë në dokumentet e procesit të zgjerimit përmendet nisja e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit.
“KE ka bërë një rekomandim historik për ne, që është një pohim i madh për faktin që Shqipëria ndodhet në pikën më të lartë drejt rrugës në bashkimin me familjen e madhe europiane. I rekomandohet KE të nisë përgatitjet në vitin 2027 për të hartuar traktatin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky është një togfjalësh që shfaqet për herë të parë në historinë e Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri e lidhi këtë zhvillim me punën e qeverive socialiste ndër vite, duke përmendur reformat e ndërmarra që nga viti 2013, veçanërisht reformën në drejtësi dhe atë të sektorit energjetik. Sipas tij, procesi i integrimit është rezultat i një pune të gjatë dhe përpjekjesh që nuk mund të maten thjesht me kalimin e viteve.
“Pas fjalës së traktatit të anëtarësimit janë vite punë që nuk numërohen si në kalendar, por janë më shumë se aq, sepse janë vite të një pune kolosale. Si ajo e reformës në drejtësi, ku më të rinjtë nuk e kanë sot idenë se me çfarë tensioni e kemi çuar përpara”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te protestat e opozitës, të cilat i cilësoi si të instrumentalizuara politikisht. Ai akuzoi protestuesit për përdorimin e dhunës kundër qeverisë dhe pretendoi se kjo klimë po pengon vëmendjen ndaj zhvillimeve të rëndësishme të vendit.
“Çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet drejtuar pa humbur kthjelltësinë e shikimit, ky është një moment i tillë”, tha kryeministri.
Rama përmendi gjithashtu ndryshimet në qytetet shqiptare dhe rritjen e turizmit, duke argumentuar se vendi ka bërë përparim në rrugën drejt standardeve evropiane. Ai solli si shembull edhe Belshin, për të ilustruar transformimin që, sipas tij, kanë pësuar qytetet e vendit.
Në përfundim, kryeministri e paraqiti rekomandimin e Komisionit Evropian si një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë, por edhe si një proces që kërkon vijimin e reformave dhe përpjekjeve për përmbushjen e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


