“Në asnjë vend tjetër nuk gjendet kjo liri për kundërshtarët”, Rama: 60% e përmbajtjes mediatike është kundër qeverisë

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, komentoi akuzat ndaj qeverisë për korrupsion dhe mungesë të lirisë së medias, duke i lidhur këto zhvillime me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Rama u shpreh se nuk mund të pretendohet njëkohësisht se Shqipëria po shkon drejt një humnerë pa fund dhe se po hyn në fazën përfundimtare të historisë së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas tij, perspektiva europiane e vendit mbështetet te zhvillimi ekonomik dhe krijimi e mbështetja e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Kreu i qeverisë foli edhe për lirinë e medias, duke deklaruar se, sipas të dhënave që ai përmendi, 60% e përmbajtjes mediatike është kundër qeverisë, 30% neutrale dhe 10% në mbështetje të saj.
Rama në Asmablenë e PS:
“Diellin nuk e mbulon dot me shoshë. Në këtë togfjalësh: Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë.
Nuk mund të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në një humnerë pa fund dhe që Shqipëria po hyn në faqen e fundit të historisë së anëtarësimit në BE. Këto të dyja nuk rrinë bashkë.
Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke rënë në humnerë, por duke kaluar nga një ekonomi që sot prek tavanin e 30 miliardë eurove. Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u zhytur në korrupsion, por duke krijuar dhe duke mbështetur pa kushte organe të pavarura të drejtësisë.
Unë e kam thënë dhe e them, ndryshe nga çfarë nxjerrin. Shqiptarët janë mjaftueshëm të mençur që ta kuptojnë. Këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë. Prandaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe.
Dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke i mbyllur gojën kritikëve të qeverisë. Ky vend, jo sot, por prej vitesh, statistikisht është një vend që prodhon në ditë, në të gjitha kanalet e veta mediatike, 60% përmbajtje kundër qeverisë, 30% përmbajtje neutrale dhe 10% pro qeverisë.
Të gjitha këto të dhëna dhe plot të tjera. U kuturisën të ngrinin një paralele mes Beogradit dhe Tiranës, por janë të gjitha përmbys. Ky është një vend ku liria e kujtdo që është i pozicionuar kundër nesh është e atillë sa në asnjë vend tjetër nuk e gjen.
Kore si ato të përnatshme që u rreshtuan ekran më ekran për të glorifikuar dhunën. Në ekranet e Francës, Italisë e Gjermanisë nuk ka shans të gjesh zëdhënës të dhunës që përfaqësojnë mediat.
Do të kemi kohë gjatë një debati kombëtar për t’i diskutuar të gjitha. Mësimi i parë për këtë arritje historike është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra komplet të ndryshme.”
/vizionplus.tv




