Veton Surroi telendis Baton Haxhiun
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
• Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakalli. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



