
- 14/11/2026 11:54-Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Izraelit, Foda pa shumë ndryshime
- 14/11/2026 11:53-Policia e Kosovës me plan operativ për ndeshjen Kosovë-Izrael
- 14/11/2026 11:52-Kosova dorëzon listën prej 23 futbollistëve në UEFA, ky është lojtari që Foda e lë në tribunë
- 14/11/2026 11:51-FFK-ja del me njoftim të rëndësishëm para ndeshjes Kosovë – Izrael, ja çfarë duhet të dinë tifozët
- 14/11/2026 11:50-Foda flet për tri prurjet e reja dhe Lutfi Dalipin, thotë se njëri mund të startojë ndaj Izrealit
- 14/11/2026 11:49-Foda për ndeshjen ndaj Izraelit: Duhet të luajmë në nivelin më të lartë për të fituar
- 14/11/2026 11:48-Gallapeni optimist para Izraelit: Jemi përgatitur mirë, synojmë rezultat pozitiv
- 14/11/2026 11:47-Ermal Krasniqi lirohet nga grumbullimi i Kosovës, shkak bëhet lëndimi
- 14/11/2026 11:47-Kapiteni i Izraelit para ndeshjes: Kosova është ekip i shkëlqyer, na pret një pengesë e vështirë
- 14/11/2026 11:46-Përzgjedhësi i Izraelit e cilëson të fortë kombëtaren e Kosovës, frikësohet nga mungesa e dy yjeve kryesorë të ekipit
- 14/11/2026 11:45-Një gjyqtar sllovak do ta ndajë drejtësinë në ndeshjen Kosovë – Izrael
- 14/11/2026 11:44-Izraelit i shtohen problemet para Kosovës - mungon mbrojtësi titullar, në dyshim edhe një tjetër
- 14/11/2026 11:43-“Jemi të përgatitur për Izraelin”, Lindrit Kamberi optimist për sfidën: Besoj në rezultat pozitiv
- 14/11/2026 11:42-Milot Avdyli beson te fitorja ndaj Izraelit: Para tifozëve tanë do të jemi edhe më të motivuar
- 14/11/2026 11:41-Kosova me ndryshime në mbrojtje, Foda duhet të krijojë një treshe të re për ndeshjet e nëntorit
- 14/11/2026 11:40-Tri fytyra të reja, një ëndërr e përbashkët – Kamberi, Rexhepi dhe Kurtulus flasin si Dardanë
- 14/11/2026 11:38-Ftesa te Kosova e bën krenar Fazlijin: Pres me padurim ndeshjet e ardhshme
- 14/11/2026 11:37-Hajrizi optimist para Izraelit: Atmosfera në Kombëtaren e Kosovës është shumë e mirë
- 14/11/2026 11:37-Goditje e rëndë për Kosovën, Dellova humb dy ndeshjet e nëntorit
- 14/11/2026 11:36-Kosova merr një 'përforcim' të rëndësishëm, Rexhbeçaj rikthehet pas katër ndeshjeve mungesë
- 14/11/2026 11:35-Betim Fazliji i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve
- 14/11/2026 11:32-Izraeli me dy mungesa ndaj Kosovës, jashtë edhe talenti i Barcelonës
- 14/11/2026 11:31-Kosova synon Evropianin, Foda: Po përcjellim futbollistë nga ligat ndërkombëtare
- 14/11/2026 11:30-“Kam vendosur me zemër” - Enis Rexhepi zbarkon në Kosovë
- 14/11/2026 11:28-“Fadil Vokrri” gati për ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit
- 14/11/2026 11:27-Kamberi, Kurtulus dhe Rexhepi: Kush janë tri prurjet e reja te Kosova?
- 14/11/2026 11:25-Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës, nuk mungojnë risitë
Kombëtarja e Kosovës do të luajë sot (e shtunë) ndaj Izraelit në kuadër të raundit të pestë të Grupit 3 në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Dardanët janë nikoqir të izraelitëve në ndeshjen e paraparë të zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin Fadil Vokrrit në Prishtinë.
Ekipi i drejtuar nga Franco Foda vjen nga një momentum pozitiv shkaku i disa prurjeve të fundit dhe synon ta shfrytëzoj terrenin vendas për të marrë një fitore e cila do t’ia siguronte qëndrimin në Ligën B dhe do ta linte në garë për pozitat 1 dhe 2.
Në anën tjetër, mysafirët nuk janë në momentin e tyre më të mirë, por do të synojnë të shkaktojnë problemeve për të mbetur në garë për qëndrim në Ligën B, pasi renditen vetëm të fundit me 2 pikë.
Për këtë ndeshje, Telegrafi do t’ju mbajë të informuar minutë pas minute.
14/11/2026 11:54-Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Izraelit, Foda pa shumë ndryshime

Përzgjedhësi gjerman i Kosovës, Franco Foda pritet t’i besojë skemës 3-4-3 në përballjen e sotme (e shtunë) ndaj Izraelit në “Fadil Vokrri”, me disa ndryshime të vogla në formacion, por duke ruajtur boshtin kryesor të skuadrës.
Telegrafi mëson se Dardanët pritet të paraqiten me skemën 3-4-3, sikurse në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë, dhe në formacion do të jenë vetëm dy ndryshime të detyruara.
14/11/2026 11:53-Policia e Kosovës me plan operativ për ndeshjen Kosovë-Izrael

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për ndeshjen e sotme (e shtunë) në “Fadil Vokrri”, duke paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit gjatë lëvizjes së eskortës së ekipit mysafir.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar dhe po zbaton një plan operativ për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Masat kanë nisur që nga ardhja e ekipit mysafir në vend, përfshirë përcjelljen dhe sigurimin e tij gjatë lëvizjeve në Kosovë.
14/11/2026 11:52-Kosova dorëzon listën prej 23 futbollistëve në UEFA, ky është lojtari që Foda e lë në tribunë

Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhësi i saj Franco Foda kanë dorëzuar mëngjesin e sotëm (e shtunë) në UEFA listën zyrtare prej 23 futbollistëve për ndeshjen ndaj Izraelit.
Dardanët do të luajnë sot ndaj Izraelit në kuadër të raundit të pestë të Grupit 3 në Ligën B të Ligës së Kombeve, në ndeshjen e paraparë të zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin Fadil Vokrrit në Prishtinë.
14/11/2026 11:51-FFK-ja del me njoftim të rëndësishëm para ndeshjes Kosovë – Izrael, ja çfarë duhet të dinë tifozët

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit.
Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e kësaj sfide, FFK-ja ka bërë të ditur se në stadium do të ndalohet futja dhe përdorimi i një sërë gjësendeve, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
14/11/2026 11:50-Foda flet për tri prurjet e reja dhe Lutfi Dalipin, thotë se njëri mund të startojë ndaj Izrealit

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për tri prurjet e reja në Kombëtare, Lindrit Kamberin, Enis Rexhepin dhe Bleon Kurtulusin, të cilët janë ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A.
Përzgjedhësi i Dardanëve ka vlerësuar integrimin e Lindrit Kamberit, Enis Rexhepit dhe Bleon Kurtulusit, duke lënë të hapur mundësinë që ndonjëri prej tyre të startojë ndaj Izraelit.
14/11/2026 11:49-Foda për ndeshjen ndaj Izraelit: Duhet të luajmë në nivelin më të lartë për të fituar

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda ka vlerësuar kundërshtarin, ka folur për mungesat në mbrojtje dhe gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në prag të përballjes së së shtunës nga ora 15:00.
Trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me punën e skuadrës në stërvitje, ndërsa ka konfirmuar se Kosova do të ketë disa mungesa në repartin defensiv, përfshirë Lumbardh Dellovën dhe Ilir Krasniqin.
14/11/2026 11:48-Gallapeni optimist para Izraelit: Jemi përgatitur mirë, synojmë rezultat pozitiv

Mbrojtësi i majtë i Kosovës, Dion Gallapeni ka vlerësuar atmosferën në kampin e Dardanëve dhe intensitetin e punës në stërvitje, në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme.
Gallapeni, ka shprehur optimizëm para përballjes me Izraelin, duke thënë se skuadra është përgatitur mirë dhe se atmosfera në kampin e Dardanëve është mjaft pozitive.
14/11/2026 11:47-Ermal Krasniqi lirohet nga grumbullimi i Kosovës, shkak bëhet lëndimi

Ermal Krasniqi nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e ardhshme, pasi është liruar nga grumbullimi për shkak të një lëndimi.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se mesfushori anësor i Amedspor ka kryer ekzaminimet mjekësore, pas të cilave është vlerësuar se gjendja e tij kërkon më shumë kohë për rikuperim.
14/11/2026 11:47-Kapiteni i Izraelit para ndeshjes: Kosova është ekip i shkëlqyer, na pret një pengesë e vështirë

Eliezer “Eli” Dasa ka vlerësuar forcën e përfaqësueses së Kosovës dhe atmosferën që e pret skuadrën e tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e cilësuar këtë si një nga ndeshjet më të vështira në udhëtim.
Kapiteni i Izraelit, Eliezer “Eli” Dasa, ka folur në konferencën për shtyp para përballjes me Kosovën, e cila zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 15:00, në kuadër të Ligës së Kombeve.
14/11/2026 11:46-Përzgjedhësi i Izraelit e cilëson të fortë kombëtaren e Kosovës, frikësohet nga mungesa e dy yjeve kryesorë të ekipit

Përzgjedhësi i Izraelit, Ran Ben Shimon ka konfirmuar se Roy Revivo dhe Manor Solomon po i nënshtrohen testeve mjekësore, ndërsa për përballjen me Dardanët ka thënë se dy përfaqësueset kanë nivel të përafërt.
Ben Shimon ka konfirmuar në konferencën për shtyp se dy futbollistët kryesorë të përfaqësueses, Revivo dhe Solomon, janë në dyshim për ndeshjen ndaj Kosovës.
14/11/2026 11:45-Një gjyqtar sllovak do ta ndajë drejtësinë në ndeshjen Kosovë – Izrael

UEFA ka caktuar ekipin e gjyqtarëve për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Gjyqtar kryesor i kësaj përballjeje do të jetë sllovaku Ivan Kruzliak, i cili do të ketë përgjegjësinë për ta drejtuar takimin mes dy përfaqësueseve.
14/11/2026 11:44-Izraelit i shtohen problemet para Kosovës - mungon mbrojtësi titullar, në dyshim edhe një tjetër

Kombëtarja e Izraelit pritet të përballet me mungesa të rëndësishme në ndeshjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet të shtunën në Prishtinë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
14/11/2026 11:43-“Jemi të përgatitur për Izraelin”, Lindrit Kamberi optimist për sfidën: Besoj në rezultat pozitiv

Lojtari më i ri i Kosovës Lindrit Kamberi thotë se stërvitjet kanë shkuar për mrekulli dhe që mund të marrim rezultat pozitiv me Izraelin.
Kamberi, që është një prej tri prurjeve të reja, për faqen zyrtare të FFK-së deklaroi se stërvitjet po shkojnë mirë dhe që atmosfera është fantastike.
14/11/2026 11:42-Milot Avdyli beson te fitorja ndaj Izraelit: Para tifozëve tanë do të jemi edhe më të motivuar

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Milot Avdyli, ka shprehur optimizëm para përballjes së rëndësishme me Izraelin, duke theksuar se atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë e mirë dhe se skuadra është përgatitur për të kërkuar tri pikët.
Në një prononcim para ndeshjes, Avdyli ka bërë të ditur se gjatë stërvitjeve të fundit vëmendje e veçantë i është kushtuar aspektit taktik, ndërsa beson se puna e zhvilluar do të japë rezultat në fushë.
14/11/2026 11:41-Kosova me ndryshime në mbrojtje, Foda duhet të krijojë një treshe të re për ndeshjet e nëntorit

Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, ndërsa në vend të tij përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar Betim Fazliji.
Kjo situatë e vështirëson edhe më shumë organizimin e repartit defensiv të Dardanëve, pasi në këtë grumbullim mungon edhe Albian Hajdari, i cili vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi afatgjatë.
Në mungesë të dy mbrojtësve të rëndësishëm, Foda do të duhet të eksperimentojë me një treshe të re në qendër të mbrojtjes për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës.
14/11/2026 11:40-Tri fytyra të reja, një ëndërr e përbashkët – Kamberi, Rexhepi dhe Kurtulus flasin si Dardanë

Tri fytyra të reja, një fanellë e përbashkët dhe një ëndërr që tashmë është bërë realitet. Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus janë tri prurjet më të reja të Kombëtares së Kosovës, të cilët do të jenë pjesë e Dardanëve për dy ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Të tre futbollistët kanë folur fjalët e para si përfaqësues të Kosovës, përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
14/11/2026 11:38-Ftesa te Kosova e bën krenar Fazlijin: Pres me padurim ndeshjet e ardhshme

Betim Fazliji ka shprehur lumturinë dhe krenarinë e tij për ftesën e marrë nga Kombëtarja e Kosovës, duke folur për emocionet e bashkimit me ekipin dhe pritshmëritë para ndeshjes me Izraelin.
Fazliji, i cili i është bashkuar sot grupit të futbollistëve të Kombëtares, është shprehur i lumtur që do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë që ka për të përfaqësimi i vendit.
14/11/2026 11:37-Hajrizi optimist para Izraelit: Atmosfera në Kombëtaren e Kosovës është shumë e mirë

Kreshnik Hajrizi ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku ka ndarë përshtypjet e tij pas rikthimit nga lëndimi dhe ka komentuar atmosferën në kampin e Kombëtares së Kosovës para ndeshjes me Izraelin.
Futbollisti kosovar është shprehur i kënaqur me rikthimin në fushë, duke bërë të ditur se gjithçka ka shkuar mirë pas lëndimit dhe se përgatitjet për ndeshjen e radhës po zhvillohen në mënyrën më të mirë.
14/11/2026 11:37-Goditje e rëndë për Kosovën, Dellova humb dy ndeshjet e nëntorit

Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të keq para dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se futbollisti është liruar nga grumbullimi, pasi ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se nuk është i gatshëm për t’i ndihmuar “Dardanët” në përballjet kundër Izraelit dhe Irlandës.
14/11/2026 11:36-Kosova merr një 'përforcim' të rëndësishëm, Rexhbeçaj rikthehet pas katër ndeshjeve mungesë

Elvis Rexhbeçaj është rikthyer në listën e Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve, pas mungesës në katër përballjet e fundit të Dardanëve.
Mesfushori i Wolfsburgut nuk ishte në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda në ndeshjet ndaj Irlandës (1-0), Austrisë (3-1), Izraelit (0-0) dhe përsëri Austrisë (1-1), të zhvilluara gjatë muajve shtator dhe tetor.
14/11/2026 11:35-Betim Fazliji i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve

Betim Fazliji i është bashkuar Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Mbrojtësi i St. Gallenit do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për përballjet ndaj Izraelit dhe Irlandës, pasi FFK-ja ka konfirmuar ardhjen e tij në kampin e “Dardanëve”.
14/11/2026 11:32-Izraeli me dy mungesa ndaj Kosovës, jashtë edhe talenti i Barcelonës

Izraeli do të ketë dy mungesa për ndeshjet e fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve, ku fillimisht do të përballet fillimisht me Kosovën, pastaj edhe me Austrinë.
14/11/2026 11:31-Kosova synon Evropianin, Foda: Po përcjellim futbollistë nga ligat ndërkombëtare

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur edhe për planet afatgjata të Kombëtares, duke theksuar se përveç përgatitjeve për ndeshjet e radhës, stafi teknik po punon edhe për të ardhmen e ekipit.
Foda bëri të ditur se vazhdojnë të përcjellin futbollistë nga kampionatet vendore dhe ligat ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë edhe ndaj talenteve të rinj që mund t'i bashkohen përfaqësueses në të ardhmen.
14/11/2026 11:30-“Kam vendosur me zemër” - Enis Rexhepi zbarkon në Kosovë

Sulmuesi i ri i Kosovës, Enis Rexhepi, ka zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është mirëpritur nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Futbollisti i Stuttgartit do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa pas mbërritjes ka dhënë edhe deklaratat e para për faqen zyrtare të FFK-së, duke treguar arsyet që e kanë shtyrë të zgjedhë fanellën dardane.
14/11/2026 11:28-“Fadil Vokrri” gati për ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit

Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” ka përfunduar procesin e rikuperimit dhe është e gatshme për përballjen Kosovë-Izrael, e cila zhvillohet më 14 nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë sërish nikoqir i Dardanëve, pasi fusha e tij ka përfunduar procesin e rikuperimit dhe tashmë është në gjendje të mirë për të pritur ndeshjen e radhës së Përfaqësueses së Kosovës.
14/11/2026 11:27-Kamberi, Kurtulus dhe Rexhepi: Kush janë tri prurjet e reja te Kosova?

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy përballjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, kundër Izraelit, dhe Republikës së Irlandës, ku në listë janë edhe tre emra të rinj.
Tri janë prurjet e reja te Kosova në këtë grumbullim, me emra si Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi, futbollistë për të cilët ka raportuar Telegrafi tash e një kohë të gjatë se do t’i bashkohen Dardanëve.
14/11/2026 11:25-Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës, nuk mungojnë risitë

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, të cilat do të luhen në muajin nëntor.
“Dardanët” do të luajnë gjatë këtij muaji dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, ku fillimisht presin Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë dhe pastaj udhëton drejt Dublinit për ndeshjen e fundit ndaj Irlandës më 17 nëntor.
Për këto dy ndeshje, Foda ka zgjedhur t’i grumbullojë plotë 27 futbollistë, ku përveç ‘senatorëve’ të ekipit, nuk mungojnë as risitë.


























