Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 14.3% të numrit të viktimave nga aksidentet rrugore gjatë vitit 2025, duke u renditur ndër tri vendet e Ballkanit Perëndimor me përkeqësimin më të madh të këtij treguesi. Në të kundërt, numri i të plagosurve rëndë është ulur me 25.5%, duke shënuar përmirësimin më të madh të raportuar në rajon.
Sipas raportit të Komunitetit të Transportit, gjatë vitit 2025 në Shqipëri humbën jetën 200 persona në aksidente rrugore, nga 175 në vitin 2024, ose 25 viktima më shumë brenda një viti.
Në krahasimin rajonal, Shqipëria renditet e treta për rritjen në përqindje të viktimave, pas Bosnjë-Hercegovinës, ku numri i tyre u rrit me 29.7%, duke arritur në 288 persona, dhe Kosovës, me rritje 15.5%, ose 112 viktima. Në të kundërt, Mali i Zi regjistroi ulje me 10.7%, Maqedonia e Veriut me 7% dhe Serbia me 5.1%.
Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, aksidentet rrugore shkaktuan 1,287 viktima gjatë vitit 2025, ose 62 më shumë se një vit më parë. Rritja prej 5.1% përmbysi përmirësimin e regjistruar në vitin 2024, ndërsa rajoni vijon të ketë një nivel vdekshmërie në rrugë rreth 1.8 herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Konkretisht, në Ballkanin Perëndimor regjistrohen rreth 78 viktima për një milion banorë, kundrejt 43 në BE.
Të plagosurit rëndë, Shqipëria me uljen më të madhe në rajon
Ndryshe nga tendenca e viktimave, të dhënat për personat e plagosur rëndë tregojnë një përmirësim të konsiderueshëm në Shqipëri. Gjatë vitit 2025 u raportuan 231 të plagosur rëndë, nga 310 në vitin 2024, ose 79 persona më pak, që përfaqëson një reduktim prej 25.5%.
Kjo është ulja më e madhe në përqindje në Ballkanin Perëndimor. Rënia është edhe më e theksuar në krahasim me vitin 2019, kur regjistroheshin 422 të plagosur rëndë. Brenda gjashtë viteve, numri i tyre është reduktuar me 45.3%, ndërsa Shqipëria rezulton i vetmi vend i rajonit që raporton përmirësim të këtij treguesi në krahasim me vitin 2019.
Në krahasimin me vitin 2024, ulje të të plagosurve rëndë regjistruan edhe Maqedonia e Veriut, me 6.9%, dhe Bosnjë-Hercegovina, me 1.7%. Ndërkohë, Mali i Zi shënoi rritje me 14.5%, Kosova me 9.4% dhe Serbia me 1.5%.
Në të gjithë rajonin, numri i të plagosurve rëndë arriti në 8,162 persona, niveli më i lartë i periudhës 2019–2025 dhe 10.8% më shumë se në vitin 2019.
Megjithatë, raporti sqaron se statistikat për të plagosurit rëndë bazohen në përkufizimet dhe kriteret e klasifikimit të secilit vend, të cilat ende nuk janë harmonizuar me standardin evropian MAIS3+.

Objektivi për vitin 2030, Shqipëria duhet të ulë viktimat me 43.2%
Pavarësisht rritjes së viktimave gjatë vitit 2025, në krahasim me vitin 2019 Shqipëria ka arritur një reduktim prej 11.9%, nga 227 në 200 viktima. Ky është një përmirësim më i madh se mesatarja rajonale, ku numri i viktimave është ulur vetëm me 2.1% gjatë së njëjtës periudhë.
Megjithatë, vendi mbetet larg objektivit për përgjysmimin e viktimave deri në vitin 2030. Sipas përllogaritjeve të Komunitetit të Transportit, Shqipëria duhet ta reduktojë numrin e tyre me një tjetër 43.2% nga niveli i vitit 2025 për të përmbushur objektivin.
Në nivel rajonal, numri i viktimave duhet të zbresë nga 1,287 në vitin 2025 në rreth 657 deri në vitin 2030, duke kërkuar një reduktim të mëtejshëm prej 49%.
Komuniteti i Transportit kërkon forcimin e kontrolleve rrugore, përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë së automjeteve, si dhe reagim më efektiv të shërbimeve të emergjencës pas aksidenteve./ekofin.al













