
Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë bashkëdrejtuesit politikë të Partisë Socialiste në Tiranë. Vendimi është bërë i ditur gjatë punimeve të Asamblesë së PS-së, që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit.
Dy emrat do të ndajnë drejtimin politik të socialistëve në kryeqytet, në kuadër të riorganizimit të strukturave të partisë.
Më herët, drejtues politikë të PS-së në Tiranë kanë qenë Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu. Në organizimin e mëparshëm, Elisa Spiropali, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Taulant Balla, Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka kanë drejtuar njësi të ndryshme në kryeqytet.
Ndryshimi vjen në një moment zhvillimesh brenda Partisë Socialiste, mes debateve politike dhe qëndrimeve të fundit të disa prej figurave të saj, përfshirë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Përpara mbledhjes, Veliaj i kishte dërguar një letër SPAK-ut dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, ku kërkonte të merrte pjesë në punimet e Asamblesë. Në letër, ai argumentonte se pjesëmarrja lidhej me funksionet që ushtron në parti dhe në pushtetin vendor.
“Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë”, thuhej në letrën e Veliajt.