
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një banese, në katin e parë të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por detonimi ka shkaktuar panik te banorët e zonës, të cilët janë zgjuar nga zhurma e fortë.
Pronaria e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori dhe se nuk ka dyshime konkrete për personat që mund të kenë vendosur lëndën plasëse.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja është e divorcuar prej disa vitesh dhe jetonte në banesë së bashku me djalin dhe vajzën e saj.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe përcaktimin e motiveve.