Ish-ministri i Orbanit në qendër të hetimit për korrupsion, gjenden 17.7 milionë euro të fshehura në pyje e magazina

Autoritetet hungareze kanë sekuestruar 17.7 milionë euro në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të Zhvillimit, Miklós Seszták, i cili ka shërbyer në qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orbán nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Sipas autoriteteve, paratë ishin fshehur në vende të ndryshme: të groposura në pyje, në ndërtesa bujqësore, magazina, banesa private dhe në një kasafortë të vendosur në një zonë të izoluar.
Gjatë dy ditëve të kontrolleve u sekuestruan: 5.07 miliardë forinta hungareze; 2.65 milionë euro; 1.25 milionë dollarë amerikanë.
Ish-ministri dyshohet se ka marrë ryshfete në një skemë që lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur nga kompania shtetërore e transportit, me çmime të fryra.
Kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán, është zotuar të hetojë korrupsionin dhe abuzimet e dyshuara gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.
Pas njoftimit për sekuestrimin, Magyar deklaroi se ky operacion shënon zyrtarisht fundin e asaj që ai e quajti «mafia Fidesz-KDNP», duke iu referuar partive të koalicionit të dikurshëm qeverisës.
Ndërkohë, Viktor Orbán nuk ka komentuar zhvillimet e fundit, por më herët i ka cilësuar hetimet ndaj personave të afërt me të si «persekutim politik».
Hungaria po përballet me një valë hetimesh ndaj figurave të ish-pushtetit, ndërsa qeveria e re premton të zbardhë skandalet e korrupsionit të viteve të kaluara.
/vizionplus.tv




