Komunikimi me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila po zhvillon punimet në Lalëz, është bërë i pamundur gjatë fjalës së kryeministrit Edi Rama.
Sipas informacioneve, telefonat e pjesëmarrësve rezultojnë të fikur, ndërsa kontaktimi i tyre nga jashtë sallës nuk ka qenë i mundur.
Situata vjen pasi kreu i qeverisë kërkoi ndërprerjen e transmetimit për mediat, duke bërë të ditur se fillimisht dëshironte të zhvillonte një komunikim të brendshëm me atë që e cilësoi si “familjen e tij politike”.
Punimet e Asamblesë u çelën nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ndërsa më pas fjalën e mori kryeministri Rama.
Ende nuk ka informacione mbi temat që po diskutohen gjatë kësaj mbledhjeje me dyer të mbyllura, apo mbi mesazhet që kreu i socialistëve po u përcjell anëtarëve të Asamblesë.
Pas përfundimit të kësaj pjese të takimit, pritet që Rama t’u drejtohet publikisht mediave, duke bërë të ditura qëndrimet dhe çështjet kryesore të diskutuara.
