Rrjetet kriminale shqiptare kanë fituar një rol dominues në importimin e kokainës në Britani, duke ndërtuar një sistem të organizuar që përfshin furnizimin ndërkombëtar, shpërndarjen në rrugë dhe rekrutimin e shitësve përmes rrjeteve sociale. Këto janë disa nga gjetjet e dokumentarit investigativ të Sky News, ‘The Drug Lords Next Door’ (Bosët e drogës në derën ngjitur), transmetuar më 13 nëntor në Sky Documentaries.
Investigimi i gazetarit John Sparks, i realizuar përmes një pune gati njëvjeçare dhe gazetarëve të infiltruar, zbulon mënyrën se si funksionojnë këto rrjete kriminale, të cilat përdorin teknologjinë dhe platformat online për të zgjeruar aktivitetin e tyre në të gjithë Britaninë.
Një prej elementeve kryesore të dokumentarit është rekrutimi i shpërndarësve të drogës përmes TikTok. Gazetarët e infiltruar gjetën qindra njoftime për vende pune si shitës droge në qytete të ndryshme britanike. Pasi aplikuan, atyre iu ofruan punë për shitjen e kokainës, përfshirë një ofertë prej 280 paundësh në ditë në Wigan dhe një tjetër me akomodim në Exeter.
Sipas investigimit, shpërndarësve u jepen telefona celularë me lista të mijëra klientëve. Këta telefona, të njohur si ‘deal phones’, mund të shiten deri në 300 mijë paundë, pasi përmbajnë bazën e klientëve dhe mundësojnë vazhdimin e aktivitetit të shitjes.
Ish-oficeri i policisë David McKelvey e krahasoi mënyrën e funksionimit të këtyre rrjeteve me një kompani të madhe që rekruton punonjës.
‘Është sikur të jetë një korporatë e madhe që reklamon dhe rekruton staf’, tha ai, duke shtuar se telefonat me kontaktet e klientëve janë zemra e këtij aktiviteti. ‘Telefoni është biznesi. Të gjithë klientët janë në telefonin tuaj. Ju praktikisht po blini një biznes.’
Nga kontrabanda e njerëzve te trafiku i drogës
Dokumentari trajton edhe lidhjet mes trafikimit të drogës dhe kontrabandës së emigrantëve përmes Kanalit Anglez.
Gazetarët e infiltruar zbuluan se persona që reklamojnë shërbime në rrjetet sociale ofrojnë transportimin drejt Evropës të shqiptarëve që kanë probleme me ligjin në Britani. Sipas investigimit, trafikantët u ofruan gazetarëve të kontrabandonin persona të kërkuar nga policia britanike drejt Shqipërisë, me kamionë, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh për person.
Në dokumentar dëshmon edhe një emigrant shqiptar, i identifikuar me emrin Granit, i cili pranon se kishte kaluar ilegalisht Kanalin Anglez me synimin për të punuar në tregtinë e drogës në Britani. Sipas tij, udhëtimi ishte paguar nga një i afërm, me kushtin që ai të punonte për trafikantët.
‘Ne përdorëm një varkë me motor për t'u nisur drejt Britanisë’, tha ai. I pyetur nëse edhe personat e tjerë në bord kishin të njëjtin qëllim, Graniti u përgjigj: ‘Po. Shumica e tyre ishin nisur me këtë ide në mendje’.
Pas mbërritjes, ai u sistemua në një hotel për azilkërkues, me shpenzimet e shtetit britanik, përpara se të niste punë në një fermë kanabisi pranë Mançesterit. Ai është kthyer tashmë në Shqipëri dhe pranoi të fliste për Sky News në mënyrë anonime, nga frika e hakmarrjes.
Frank Stewart, përfaqësues i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), paralajmëroi për lidhjet mes grupeve të organizuara shqiptare dhe kontrabandës së emigrantëve.
‘Nuk mund t'i ndash nga ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar të imigracionit. Ka grupe të krimit të organizuar shqiptar që kryejnë vetë trafikimin, duke sjellë njerëz ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar’, tha ai.
Stewart deklaroi gjithashtu se, sipas vlerësimit të NCA-së, grupet kriminale shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në Britani.
Rrjeti i Franc Çopjas në fokus të dokumentarit
Një pjesë e investigimit i kushtohet edhe Franc Çopjas, ish-banor i zonës së Tottenhamit në Londër, të cilin prokurorët shqiptarë e akuzojnë për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Evropë.
Dokumentari shqyrton mënyrën se si këto organizata kanë ndërtuar lidhje ndërkombëtare dhe kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në tregun britanik.
Në fund, Kathryn Westmore, përfaqësuese e organizatës UK Finance, u drejtoi një paralajmërim edhe konsumatorëve të kokainës, duke theksuar se ky aktivitet kriminal nuk është një krim pa viktima.
‘Ka një histori të tërë pas një transaksioni të vetëm, që të çon te njerëzit e shfrytëzuar, njerëzit e cenueshëm dhe dhuna. E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit ekosistem dhe prek jetën e të gjithëve’, tha ajo.
Dokumentari trajton aktivitetin e grupeve të organizuara kriminale dhe nuk duhet ngatërruar me komunitetin shqiptar në Britani, ku shumica dërrmuese e qytetarëve jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme.
/Sky News – ‘The Drug Lords Next Door’.
© SYRI.net
EMRI/ Vidhnin automjete në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë, arrestohet 51-vjeçari, dy të tjerë në kërkim
Banda shqiptare e hajdutëve të banesave godiste në disa zona të Francës, 3 vite burg për secilin
EMRI/ Po transportonte drogë, gjykata bën shembull adoleshentin shqiptar: Do paguash 805 mijë euro