Argjentina, ndeshja e parë pa Messin mbyllet keq, fiton Uruguaji
Milani është përballur me një incident të sigurisë kibernetike, që ka prekur të dhënat personale të klientëve që kanë blerë produkte në dyqanin zyrtar online të klubit.
Gjigantët italianë kanë kontaktuar tifozët e prekur për t’i paralajmëruar se informacionet e tyre personale janë aksesuar pa autorizim, pas një shkeljeje të sigurisë që përfshinte një kompani të jashtme teknologjike. Lajmi ka ngritur shqetësime për mbrojtjen e të dhënave të klientëve, ndërsa Milani u ka kërkuar mbështetësve të tregojnë kujdes ndaj emaileve, telefonatave dhe mesazheve të dyshimta.
Në një komunikim të siguruar nga Transfer News Live, klubi konfirmoi se ishte informuar plotësisht për incidentin më 6 nëntor 2026, pasi kishte zbuluar një akses të paautorizuar në platformën e administruar nga një prej ofruesve të shërbimeve të tregtisë elektronike. Sipas njoftimit, informacionet e ekspozuara përfshijnë emrin dhe mbiemrin e klientëve, adresat elektronike, adresat e dërgesave, numrin e blerjeve të kryera dhe shumën totale të shpenzuar. Gjithashtu, janë prekur edhe numrat e porosive, si dhe datat dhe oraret e blerjes së parë dhe të fundit.
Megjithatë, Milani ka sqaruar se të dhënat e pagesave, fjalëkalimet e llogarive dhe informacionet mbi produktet e porositura nuk janë komprometuar. Klubi ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërsa ka kërkuar kontrolle teknike për të përcaktuar mënyrën se si ndodhi ndërhyrja. Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave është njoftuar gjithashtu për rastin.
Ofruesi i shërbimit teknologjik ka forcuar masat ekzistuese të sigurisë dhe ka ndërmarrë hapa për të ndaluar çdo akses të mëtejshëm të paautorizuar. Në mesazhin drejtuar tifozëve, Milani ka paralajmëruar se informacionet e ekspozuara mund të përdoren për tentativa mashtrimi, përmes komunikimeve që mund të paraqiten sikur vijnë nga vetë klubi.
Për këtë arsye, mbështetësve u është kërkuar të tregojnë kujdes të veçantë gjatë javëve në vijim, sidomos në rastet kur marrin kërkesa të papritura për të dhëna personale apo informacione mbi pagesat.
Milani ka theksuar se emailet zyrtare të klubit vijnë vetëm nga adresa që përfundojnë me @acmilan.com dhe se nuk kërkon asnjëherë fjalëkalime apo të dhëna të kartave bankare përmes këtyre komunikimeve. Tifozëve u është këshilluar të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt klubin për të verifikuar vërtetësinë e mesazheve. Deri më tani, Milani nuk ka bërë publik emrin e kompanisë teknologjike të përfshirë në incident dhe as numrin e klientëve të prekur. Klubi ka sqaruar gjithashtu se aktualisht nuk ka prova që të dhënat e ekspozuara janë përdorur për qëllime të paligjshme.
Top Channel