Asambleja e PS vijon me dyer të mbyllura, anëtarët fikin të gjithë telefonat, asnjë komunikim me jashtë

14/11/2026 10:42

Komunikimi me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Lalëz është bërë i pamundur gjatë momentit që kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij përpara socialistëve.

Mësohet se telefonat e të pranishmëve janë të fikur, ndërsa nuk është e mundur të komunikohet me anëtarët e Asamblesë brenda sallës.

Kjo vjen pasi Rama kërkoi ndërprerjen e sinjalit për mediat, duke paralajmëruar se dëshironte të ndante disa fjalë me “familjen e tij politike”, përpara se të mbante fjalimin e plotë publik.

Asambleja u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa fjala e kryeministrit shënoi nisjen e diskutimeve.

Përmbajtja e fjalimit që Rama po mban në këtë moment nuk është ende e ditur. Pas përfundimit të komunikimit me dyer të mbyllura, pritet që kryeministri të mbajë edhe një deklaratë publike për mediat.

Top Channel