Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndërprerjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila po zhvillohet në Gjirin e Lalzit. Në nisje të takimit, kreu i PS-së ka kërkuar që disa prej fjalëve të tij të mos bëhen publike, duke theksuar se dëshiron t’u drejtohet vetëm anëtarëve të partisë.
“Dua të ndaj disa fjalë vetëm me Asamblenë, me familjen time politike”, mësohet të ketë deklaruar Rama përpara se transmetimi të ndërpritej.
Kërkesa vjen në një moment kur brenda Partisë Socialiste janë hapur diskutime mbi drejtimin e partisë, organizimin e strukturave dhe përgjegjësinë politike të kryetarit. Në këtë kontekst është edhe kërkesa e Erion Veliajt për shqyrtimin e përgjegjësisë politike të Ramës dhe aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit.
Një tjetër çështje në fokus të Asamblesë janë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Pritet të diskutohen përzgjedhja e kandidatëve për bashkitë dhe organizimi i strukturave socialiste në prag të garës së ardhshme elektorale.


