Në fjalimin e tij për Asamblenë e Partisë Socialiste, Erion Veliaj pyet cili do të jetë vendimi për vijimësinë e partisë.
“A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë?”, shkruan ai.
Ai reflekton edhe mbi vendimet e tij dhe shprehet se është i gatshëm të japë llogari, por përgjegjësinë kryesore ia atribuon drejtuesit të partisë dhe kryeministrit, Edi Rama.
“Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t'i shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm të jap llogari.
Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një rrezik të njohur për çdo organizatë politike”, shprehet Veliaj.
Lajmi kryesor:
Veliaj kërkon largimin e Ramës, letra drejtuar Asamblesë: Të ndryshojë modeli i drejtimit të PS, reformimi nuk bëhet pa ndryshuar kryetarin që e ka krijuar











