60 tonë kokainë dhe avionë privatë, zbardhen bisedat e Ervis Çelës me Franc Çopjan
“E mora këtë, 1.4 milionë”
Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për aktivitetin e organizatës së dyshuar kriminale që akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në qendër të komunikimeve të zbardhura janë Ervis Çela dhe Franc Çopja, të cilët diskutonin edhe për blerjen e avionëve privatë.
Sipas të dhënave të dosjes, Ervis Çela, i konsideruar nga hetuesit si drejtues i një prej organizatave më të rrezikshme të trafikut të kokainës, kishte interes të veçantë për avionët e vegjël. Këta mjete fluturimi, sipas hetimit, përdoreshin prej tij për transportimin e drogës brenda territorit të Amerikës Latine.
Më 23 janar 2021, Çela komunikon me vëllain e tij, Albin Çela, të cilit i dërgon fotografinë e një avioni privat. Në bisedë, ai i tregon se kishte blerë dy avionë, një të vogël dhe një më të madh, si edhe një avion tip “jet” privat.
“Kam ble dy… një të vogël një të modh. Kam ble dhe kshtu Jet privat”, shkruante Ervis Çela në komunikimin e zbardhur nga hetuesit.
Pak ditë më vonë, më 2 shkurt 2021, ai i dërgon një mesazh edhe Franc Çopjas, duke i treguar për një tjetër blerje. “E mora këtë… 1.4M”, i shkruan Çela, ndërsa Çopja i përgjigjet: “Qenka i bukur shumë”.
Sipas dosjes hetimore, baza e Ervis Çelës ishte në Paraguai, prej nga ai organizonte aktivitetin e tij në Amerikën Latine. Hetuesit pretendojnë se ai transportonte personalisht kokainën me avionë privatë brenda rajonit.
SPAK dyshon se organizata e drejtuar nga Ervis Çela, në bashkëpunim me Franc Çopjan, ka trafikuar rreth 60 tonë kokainë në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021.
Komunikimet për blerjen e avionëve janë pjesë e materialeve hetimore që hedhin dritë mbi mënyrën e organizimit dhe logjistikën e grupit të dyshuar kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





