Kosova dorëzon listën prej 23 futbollistëve në UEFA, ky është lojtari që Foda e lë në tribunë
Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhësi i saj Franco Foda kanë dorëzuar mëngjesin e sotëm (e shtunë) në UEFA listën zyrtare prej 23 futbollistëve për ndeshjen ndaj Izraelit.
Dardanët do të luajnë sot ndaj Izraelit në kuadër të raundit të pestë të Grupit 3 në Ligën B të Ligës së Kombeve, në ndeshjen e paraparë të zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin Fadil Vokrrit në Prishtinë.
Për këtë ndeshje, përzgjedhësi Franco Foda ftoi fillimisht 27 lojtarë, në mesin e tyre tre emra të rinj, por më vonë u liruan nga grumbullimi emra si Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani, duke bërë që në vend të tyre të afrohet Betim Fazliji.
Në ditët pasuese, shkaku i shqetësimeve me lëndime u liruan edhe Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi, duke çuar në 24 numrin e lojtarëve të mbetur.
Megjithatë, në ndeshje zyrtare, ekipet duhet të dorëzojnë një liste prej 23 futbollistëve për ndeshje dhe kështu bëri edhe Kosova gjatë mëngjesit të sotëm (e shtunë).

Lojtari i vetëm që mbeti jashtë listës për ndeshjen e sotme është njëri prej prurjeve të fundit, sulmuesi 18-vjeçari i Stuttgartit, Enis Rexhepi.
Në sulm, Foda ka vendosur t’ju besojë për këtë ndeshje emrave si Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, Baton Zabërgja, Edon Zhegrova dhe Albion Rrahmani. /Telegrafi/


































