Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Milanit, ka dhënë intervistën e parë pas largimit nga klubi kuqezi, duke zbuluar prapaskenat e merkatos.
Për Luka Modric tha: “Ishte ai që më bindi mua. Kishte një dëshirë të jashtëzakonshme për Milanin. Para se të shkoja ta takoja, kërkova të bënim një videotelefonatë, sepse nuk e besoja. Pas pesë minutash bisedë për Milanin kuptova se ishte lojtari që na mungonte. Jo vetëm për cilësitë sportive, por edhe njerëzore. Nuk ka munguar kurrë në stërvitje; ne duhej ta ndalonim. Dashuria e tij për futbollin në atë moshë është vërtet për t’u admiruar”.
Tare zbuloi edhe pesë lojtarët që kishte siguruar për sezonin 2026-2027: “Gila, Gonçalo Ramos, Doumbia, Valdepenas dhe Goretzka. Doumbia ishte i preferuari im, doja ta sillja me çdo kusht te Milani. Valdepenas përfundoi te Fiorentina, ndërsa Goretzka ishte emri i pestë”.
Për Rafael Leao deklaroi: “Është një djalë i jashtëzakonshëm, të cilin e kam dashur shumë, por prisnim më tepër prej tij. Mendoj se futbolli nuk ishte më prioriteti i tij. Muzika, moda dhe jeta jashtë fushës zinin më shumë vend. Megjithatë, nuk kam dyshuar kurrë për përkatësinë e tij ndaj Milanit. Ai vuante kur nuk luante mirë, por ndonjëherë dëshira nuk mjafton. Për të nuk erdhi kurrë një ofertë konkrete”.
Tare vlerësoi gjithashtu punën e përbashkët me Furlani, Ibrahimovic dhe Moncada, veçanërisht të ardhurat nga shitjet, pavarësisht mungesës së Champions League.







