Administrata Federale e Aviacionit hoqi ndalimin e fluturimeve në të gjithë Amerikën, pasi një defekt në komunikimin e qendrave të kontrollit të trafikut ajror shkaktoi kaos në aeroporte dhe çoi në ndërprerjen më të gjatë të fluturimeve që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se hapësira ajrore amerikane u rihap më 20:15 (02:15 me orën tonë), por me nisjen e fluturimeve që rifillon gradualisht, kompanive ajrore iu duhet kohë për të rikthyer operacionet në normalitet.
Sipas të dhënave të FlightRadar24-ës, mbi 6.600 fluturime u anuluan dhe 8.600 pësuan vonesa. 1.500 të planifikuara për nesër, po ashtu u anuluan.
Analistët e aviacionit thanë se bllokimi katërorësh i fluturimeve në të gjithë vendin mund të shkaktojë probleme në oraret e kompanive ajrore për disa ditë me radhë.
Mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar. Ky defekt përbën shenjën më të fundit e më të rëndë të problemeve me të cilat po përballet sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror, i rënduar nga teknologjia e vjetëruar, pajisjet e sistemet problematike të komunikimit, si dhe mungesa e disa mijëra kontrollorëve të trafikut ajror.
Problemet nisën dje në orën 15:36, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror përjetuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarëve e të komunikimit.