Demo në Elbasan: Asnjë familje pa mbështetje, angazhim për strehim të sigurt dhe zgjidhje afatgjatë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ishte sot në Elbasan, ku takoi nga afër familjet e prekura nga shpërthimi në një pallat banimi, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndjekur personalisht masat që po merren për strehimin dhe zgjidhjen përfundimtare të situatës.

I shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, ministri Demo u njoh me nevojat e familjeve që janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbështetja konkrete për çdo familje janë prioriteti kryesor i institucioneve.

“Ne jemi këtu sot për të treguar vullnetin e qartë të të gjitha institucioneve që kjo situatë do të marrë një zgjidhje. Këtë problematikë do ta ndjekim në vazhdimësi, për të gjetur zgjidhjen afatgjatë”, u shpreh Demo.

Gjatë bashkëbisedimit, banorët shprehën vlerësimin e tyre për ndërhyrjen dhe profesionalizmin e forcave zjarrfikëse në përballimin e situatës së krijuar nga shpërthimi. Ata vlerësuan gjithashtu praninë e ministrit Demo, mbështetjen e ofruar dhe angazhimin e tij personal për të ndjekur nga afër shqetësimet e familjeve të prekura, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Strehimi i sigurt dhe përballimi i nevojave të përditshme të familjeve mbeten shqetësimi i parë, ndërsa Bashkia e Elbasanit po ofron mbështetje përmes bonusit të qirasë dhe masave të tjera të nevojshme për këtë periudhë tranzitore.

“Bashkia është këtu për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen e parë, për të kaluar këtë periudhë tranzitore, por patjetër që kjo situatë kërkon një zgjidhje më afatgjatë. Këtu do të nevojitet ndërhyrja dhe bashkëpunimi i disa institucioneve”, u shpreh ministri.

Lidhur me të ardhmen e godinës së dëmtuar, Demo theksoi se çdo vendim do të merret mbi bazën e ekspertizës teknike, duke vendosur mbi gjithçka sigurinë e jetës së banorëve.

“Jemi në pritje të raportit përfundimtar dhe, pas këtij raporti, alternativat që do të marrim në konsideratë do të bazohen mbi rezultatet e tij. Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të kryhen. Në bazë të këtij informacioni do të përcaktojmë alternativat për t’i dhënë zgjidhje problematikës”, deklaroi Demo.

Ministri kërkoi bashkërendim të vazhdueshëm mes institucioneve përgjegjëse, me qëllim që procesi i vlerësimit teknik, mbështetja për strehimin dhe hapat drejt zgjidhjes afatgjatë të ndiqen pa vonesa të panevojshme.

Vizita në Elbasan është pjesë e qasjes së ministrit Demo për të qenë pranë qytetarëve, për t’i dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e tyre dhe për të ndjekur zgjidhjen konkrete të problemeve që prekin jetën e përditshme. Angazhimi institucional do të vijojë deri në përcaktimin dhe zbatimin e zgjidhjes për familjet e prekura.

Në vizitë morën pjesë prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësues të Emergjencave Civile dhe ekspertë të Institutit të Ndërtimit.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri