“Turizmi në alarm për TVSH-në: Shqipëria rrezikon të humbasë garën me rajonin, kërkohet norma 6%”

Shoqatat e turizmit dalin kundër rritjes së barrës fiskale mbi sektorin, duke paralajmëruar se një politikë e tillë rrezikon konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe tregjet evropiane. Përfaqësuesit e industrisë kërkojnë që TVSH-ja të mbahet në nivelin 6%, si një instrument për të nxitur formalizimin dhe për të mbështetur një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Zak Topuzi argumenton se Shqipëria po humbet terren përballë vendeve konkurruese, të cilat aplikojnë norma më të favorshme tatimore si për akomodimin, ashtu edhe për ushqimin.
“Mendoj se zgjidhja më e mirë është 6% dhe formalizimi i tregut. Evropa nuk ka të ulur vetëm TVSH-në për akomodimin, por edhe për ushqimin”, deklaron Topuzi
Ai sjell si shembuj Malin e Zi, ku TVSH-ja për akomodimin dhe ushqimin është 7%, Italinë me 10% për të dyja kategoritë dhe Greqinë, ku normat janë përkatësisht 10% për akomodimin dhe 13% për ushqimin.
Sipas Topuzit, mbajtja e një niveli më të lartë taksimi e vendos Shqipërinë në disavantazh në garën për të tërhequr turistë, investime dhe operatorë ndërkombëtarë.
“Ne humbasim konkurrueshmërinë nëse mbajmë këtë nivel taksash. Propozojmë që industria e turizmit, që po mban ekonominë, të stimulohet në këtë moment të rëndësishëm”, thekson ai.
Një tjetër faktor që po rëndon sektorin është edhe zhvlerësimi i euros, i cili sipas përfaqësuesve të industrisë përbën një goditje të konsiderueshme për të ardhurat e bizneseve turistike.
Apeli i shoqatave është i qartë: në vend që turizmi të përballet me barrë fiskale shtesë, qeveria duhet të ndjekë politika stimuluese, të mbështesë formalizimin dhe të ruajë konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik.
360grade.al



















