Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e pakundërshtueshme se njerëzimi e ka origjinën në Afrikë më e lashtë nga sa mendonim


Fëmija Taung ndryshoi mënyrën se si e kuptojmë historinë e njerëzimit, duke ofruar disa nga dëshmitë e para të pakundërshtueshme se linja jonë evolucionare e ka zanafillën në Afrikë. Tani, më shumë se një shekull më vonë, ky djalosh i vogël vazhdon të na mësojë shumë gjëra të rëndësishme për prejardhjen tonë të largët.

Hyrje në botën e Australopithecus

Kafka e të miturit u zbulua në vitin 1924 nga antropologu australian Raymond Dart, në një gurore gëlqerore pranë fshatit Taung, në Afrikën e Jugut. Ajo është e vogël, jo më e madhe se kafka e një shimpanzeje të re, por tiparet e fytyrës janë shumë më të ngjashme me ato njerëzore, përfshirë ballin e lartë, zgavrat e rrumbullakëta të syve dhe dhëmbët e vegjël të qenit.

Dart e përshkroi këtë specie si Australopithecus africanus, një hominin i hershëm, i cili përfaqëson një hallkë në kalimin kompleks mes majmunëve të mëdhenj që lëvizin duke u mbështetur në nyjat e gishtave dhe paraardhësve tanë që ecnin drejt.

Edhe sot, kjo mbetet e vetmja fosile e lidhur në mënyrë të padiskutueshme me këtë specie. Fosilet e gjetura në vende relativisht pranë saj në Afrikën e Jugut, si Sterkfontein dhe Makapansgat, u klasifikuan më vonë në të njëjtën specie, por shkencëtarët nuk kanë arritur kurrë të bien dakord për një grup të qartë tiparesh që përcaktojnë A. africanus.

Fëmija Taung ishte më kompleks nga sa mendohej

Në një studim të ri, bioantropologët nga Universiteti i Lirë i Brukselit kanë rishqyrtuar kafkën e Fëmijës së Taungut dhe kanë vënë në pikëpyetje nëse shpjegimi tradicional është vërtet aq i thjeshtë sa është menduar fillimisht.

Së pari, datimi i ri e ka përcaktuar moshën e Fëmijës së Taungut në rreth 2,96 deri në 3,03 milionë vjet, dukshëm më të madhe se vlerësimi i mëparshëm prej 2,58 milionë vjetësh.

Së dyti, një analizë e dhëmbëve dhe strukturës së trurit të fëmijës sugjeron se ky individ nuk ishte aq i ngjashëm me homininët e tjerë të Afrikës së Jugut, me të cilët është grupuar nën emërtimin A. africanus.

Në vend që t’i shohë këta homininë të hershëm si një specie të vetme dhe homogjene, studimi i ri argumenton se ata duhet të konsiderohen si një grup i larmishëm primatësh, të formësuar nga ndryshimet e shpejta klimatike në rajon.

Ndryshimet klimatike

Si pasojë e cikleve orbitale të Tokës, reshjet në Afrikën Juglindore kanë qenë më të ndryshueshme gjatë periudhës nga 4 deri në 2,5 milionë vjet më parë, shkruajnë autorët e studimit. Ato kanë luhatur mes cikleve të lagështa dhe të thata, dhe studiuesit argumentojnë se kjo pasqyrohet në larminë e tipareve të majmunëve që evoluan në këtë mjedis.

Fëmija i Taungut duket se ka jetuar gjatë një prej periudhave më të lagështa, siç sugjerojnë gjurmët e polenit të fosilizuar të zbuluara pranë mbetjeve të tij. Për shembull, prania e Podocarpus, një lloj peme që sot gjendet në zona më të lagështa, rreth 400 kilometra larg, sugjeron se ky individ ka jetuar në një rajon pyjor ose ligatinor, përpara se peizazhi të shndërrohej në një savanë më të thatë dhe të hapur.

Ndërsa klima ndryshonte, habitatet zhvendoseshin vazhdimisht dhe popullatat e homininëve duket se lëviznin bashkë me to. Këto valë migrimi sollën popullata të reja në kontakt me njëra-tjetrën, duke çuar në ndërthurje dhe hibridizim, çka nxiti edhe më tej larminë në rajon.

Ashtu si në shumicën e kapitujve të historisë sonë evolucionare, gjithçka u ndërthur, u bë më e ndërlikuar dhe gjithnjë e më komplekse.

«Për më shumë se 100 vjet, kemi supozuar se Fëmija i Taungut ishte thjesht një nga shumë fosilet e ngjashme të asaj periudhe», tha në një deklaratë profesori Gabriele Macho, autor i studimit dhe antropolog biologjik në Universitetin e Lirë.

«Gjetjet tona e përmbysin këtë pikëpamje. Pema familjare e njerëzimit nuk ishte një trung i rregullt dhe i drejtë, por një shkurre e ngatërruar dhe kaotike, e formësuar nga ndryshimet klimatike».

Një fund i tmerrshëm

Edhe mënyra e pafat se si përfundoi jeta e Fëmijës së Taungut mbështet idenë se ai jetonte në një zonë të pyllëzuar dhe jo në një fushë të hapur, siç ishte sugjeruar edhe më parë.

Antropologë kureshtarë kanë studiuar dëmtimet në kafkën e tij dhe kanë argumentuar se ai mund të jetë vrarë nga një shqiponjë me kurorë, grabitqari më i fuqishëm fluturues i Afrikës, e njohur për kthetrat e saj që mund të shtypin kockat.

Studimi më i fundit duket se e mbështet këtë pikëpamje, duke vënë në dukje se këta shpendë grabitqarë «sot priren të jetojnë në pyjet e larta të Afrikës» dhe se u pëlqen t’i ruajnë prenë e tyre në pemë. Edhe pse mund të shihen mbi savana, habitatin e tyre të preferuar e kanë pyjet, ku dyshohet se jetonte edhe Fëmija i Taungut.

Duhet të ketë qenë një fund mjaft i tmerrshëm për këtë vogëlush që nuk dyshonte për asgjë, por janë të paktë individët që mund të pretendojnë se janë ndër fosilet më të rëndësishme antropologjike të epokës moderne, shkruan IFL.