Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare në Shkodër, e cila tregon se ka blerë disa çokollata për fëmijët, por kur i ka hapur, është përballur me një pamje të neveritshme.
Brenda çokollatave kishte krimba! Qytetarja ka dërguar edhe një pamje në redaksinë tonë, ku shihet qartë një prej tyre brenda produktit.
Ajo shprehet e revoltuar për këtë situatë, pasi bëhet fjalë për ushqime që blihen për familjen dhe veçanërisht për fëmijët, të cilët mund të konsumojnë produkte të tilla pa e ditur se çfarë fshihet brenda tyre.
"Është vërtet e neveritshme dhe shqetësuese të blesh çokollata, t'u besosh produkteve që konsumon familja jote dhe të zbulosh se brenda tyre ka krimba. Ne paguajmë për produkte cilësore dhe të sigurta, jo për të rrezikuar shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë", shkruan qytetarja.
Rasti ngre edhe një herë pikëpyetje serioze mbi sigurinë e produkteve ushqimore që tregtohen dhe përfundojnë në duart e konsumatorëve. Si është e mundur që një produkt i blerë për fëmijët të përmbajë krimba?
Qytetarja kërkon vëmendje ndaj këtij problemi, ndërsa mbetet e nevojshme që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të kontrollojnë produktin në fjalë.