Defekt në rrjetin e ujësjellësit në Korçë, mbetet pa ujë lagjja 17, nis riparimi
Miliona lekë dëm ekonomik, shkelje në tenderë, investime dhe taksa të paarkëtuara janë disa nga parregullsitë e shumta që ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimeve të kryera në 17 bashki, raportet e të cilave janë publikuar gjatë vitit 2026.
Publikimet më të fundit, të muajit nëntor 2026, përfshijnë raportet për 11 bashki: Durrës, Gjirokastër, Pogradec, Mat, Roskovec, Tepelenë, Prrenjas, Memaliaj, Poliçan, Belsh dhe Fushë-Arrëz.
Ndërkohë, raporte të tjera të publikuara gjatë vitit 2026 kanë evidentuar parregullsi edhe në bashkitë Fier, Korçë, Elbasan, Berat, Lushnjë dhe Sarandë.
Auditimet shqyrtojnë veprimtarinë e bashkive kryesisht gjatë viteve 2023–2025. Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, KLSH ka rekomanduar masa për shpërblimin e dëmit ekonomik, arkëtimin e detyrimeve, korrigjimin e pasaktësive financiare, përmirësimin e procedurave administrative dhe, në raste të caktuara, masa disiplinore.
Bashkia Durrës, 30 milionë lekë dëm ekonomik, 200 raste ndërtimesh pa leje për të cilat nuk u nxor urdhër ekzekutimi
Në Bashkinë Durrës, KLSH ka konstatuar 30.3 milionë lekë dëm ekonomik në zbatimin e kontratave të investimeve publike, ndërsa në fund të vitit 2024 rezultonin 1.86 miliardë lekë detyrime të papaguara nga bizneset dhe familjet.
Nga auditimi i 27 procedurave të prokurimit, KLSH ka evidentuar mangësi në përcaktimin e kritereve të kualifikimit dhe raste kur janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin kërkesat e dokumenteve të tenderit.
Në pesë raste, përllogaritja e pasaktë e taksës së ndikimit në infrastrukturë ka sjellë 18.7 milionë lekë të ardhura të munguara.
Parregullsi janë konstatuar edhe në veprimtarinë e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Sipas KLSH-së, në 200 raste, kryeinspektori nuk kishte vijuar procedurat për nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit për prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme.
Gjithashtu, në 23 procedura, për të cilat audituesit kishin evidentuar elementë të mundshëm të veprës penale, indiciet nuk ishin referuar pranë organeve kompetente.
KLSH ka dhënë 45 rekomandime për Bashkinë Durrës, duke kërkuar marrjen e masave për shpërblimin e dëmit ekonomik, arkëtimin e detyrimeve, përmirësimin e procedurave të prokurimit dhe ndjekjen e shkeljeve në kontrollin e territorit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar pasaktësi të konsiderueshme në raportimin financiar të Bashkisë Elbasan për vitin 2024. Sipas raportit të KLSH-së, të publikuar në mars 2026, Bashkia Elbasan kishte deklaruar në bilancin financiar të vitit 2024 rreth 1.31 miliardë lekë më shumë të ardhura sesa duhej të pasqyroheshin. Ndërkohë, rezultati financiar i bashkisë ishte paraqitur 62.4 milionë lekë më i ulët se vlera që duhej të rezultonte nga llogaritjet e sakta
Raporti evidenton gjithashtu një mosrakordim prej rreth 1.2 miliardë lekësh ndërmjet llogarive kontabël, si dhe 45 projekte me vlerë 127 milionë lekë, për të cilat mungonte informacioni mbi përfundimin e investimeve.
Në kontabilitet nuk ishin pasqyruar detyrime nga gjobat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kontratat e qirasë së fondit pyjor e kullosor, me vlerë të përgjithshme rreth 82.7 milionë lekë.
.Bashkia Fier, 551 milionë lekë detyrime të bizneseve jashtë kontabilitetit
Në Bashkinë Fier, KLSH ka konstatuar se 551 milionë lekë detyrime të papaguara nga bizneset, të krijuara nga viti 2017 e në vijim, nuk ishin pasqyruar në kontabilitet.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu pasaktësi në regjistrimin e investimeve dhe aktiveve publike. Investime të përfunduara prej vitesh vazhdonin të figuronin si investime në proces, ndërsa mosllogaritja e saktë e amortizimit kishte ndikuar në vlerën e pasurive të paraqitura në bilanc.
Sipas raportit, investimet e planifikuara për vitin 2024 në vlerën 864.5 milionë lekë ishin realizuar vetëm në masën 37%.
KLSH ka dhënë 14 rekomandime, duke kërkuar regjistrimin e detyrimeve të bizneseve, korrigjimin e pasaktësive financiare dhe analizimin e përgjegjësive për marrjen e masave administrative e disiplinore.
Bashkia Korçë ,722 milionë lekë aksione të papasqyruara në bilanc
Në Bashkinë Korçë, KLSH ka konstatuar se pjesëmarrjet në kapitalin e shoqërive tregtare dhe publike, me vlerë 722.6 milionë lekë, nuk ishin pasqyruar në llogarinë përkatëse të kontabilitetit.
Audituesit kanë evidentuar gjithashtu nënvlerësimin me 23.4 milionë lekë të një llogarie të detyrimeve financiare dhe diferenca prej 23.1 milionë lekësh në pasqyrimin e investimeve.
Parregullsi janë konstatuar edhe në inventarizimin e pasurive dhe regjistrimin e aktiveve të dala jashtë përdorimit. Për shkak të pasaktësive, KLSH ka dhënë opinion të modifikuar me rezervë për pasqyrat financiare.
Institucioni ka dhënë 12 rekomandime për sistemimin e llogarive, regjistrimin e aksioneve dhe përmirësimin e administrimit të aktiveve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar parregullsi në pasqyrat financiare të Bashkisë Korçë për vitin 2024. Sipas raportit të auditimit, të publikuar në mars 2026, bashkia nuk kishte regjistruar në llogarinë përkatëse të kontabilitetit aksionet dhe pjesëmarrjet që zotëronte në kapitalin e disa shoqërive tregtare dhe publike, me vlerë totale 722.6 milionë lekë.
Sipas KLSH-së, bëhet fjalë për aksionet e Bashkisë Korçë në shoqërinë “Tregu i shitjes me shumicë fruta e perime”, në shoqërinë “Korça” sh.a, “Qendra Sportive Korçë” sh.a., në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë, në shoqërinë “KRËM” .
Megjithëse bashkia zotëronte aksione dhe pjesëmarrje, llogaria përkatëse në bilancin e vitit 2024 rezultonte me vlerë zero.
Audituesit kanë evidentuar gjithashtu se llogaria “Operacione me shtetin (të drejta)” ishte nënvlerësuar me 23.4 milionë lekë, ndërsa në pasqyrimin kontabël të investimeve ishte konstatuar një diferencë prej 23.1 milionë lekësh.
Parregullsi janë konstatuar edhe në inventarizimin e pasurive dhe regjistrimin e aktiveve të dala jashtë përdorimit.
Për shkak të pasaktësive të konstatuara, KLSH ka dhënë opinion të modifikuar me rezervë për pasqyrat financiare të Bashkisë Korçë.
KLSH ka dhënë 12 rekomandime, duke kërkuar regjistrimin e saktë të pjesëmarrjeve në kapital, korrigjimin e pasaktësive kontabël dhe përmirësimin e administrimit të pasurive publike.
Bashkia Berat , 340 milionë lekë borxhe tatimore nga bizneset dhe familjet
Në Bashkinë Berat, KLSH ka konstatuar mangësi në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe zbatimin e procedurave të planifikimit buxhetor.
Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor i familjeve arrinte në 175.3 milionë lekë, ndërsa detyrimet e bizneseve në 165.2 milionë lekë.
Nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet e legalizuara rezultonin 5.8 milionë lekë detyrime nga 180 persona.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu mangësi në administrimin e subjekteve që tregtojnë karburante dhe shkelje të afateve në përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm.
KLSH ka dhënë 17 rekomandime, duke kërkuar marrjen e masave për uljen e borxhit tatimor, arkëtimin e detyrimeve dhe përmirësimin e planifikimit e administrimit financiar.
Bashkia Lushnjë , 12 ndërtesa të regjistruara me vlerë nga 1 lek, pasaktësi në amortizim
Në Bashkinë Lushnjë, KLSH ka evidentuar parregullsi në regjistrimin dhe vlerësimin e pronave publike. Sipas raportit, gjatë vitit 2024 ishin regjistruar 12 ndërtesa me vlerë të përgjithshme 12 lekë, ndërsa sipërfaqe tokash, parcelash bujqësore dhe guroresh prej 648,608 metrash katrorë ishin pasqyruar me vlerë vetëm 17 lekë.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu mosrakordim prej 18 milionë lekësh ndërmjet llogarive financiare dhe pasaktësi në përllogaritjen e amortizimit. Për rrugët, rrjetet dhe veprat ujore, efekti i përdorimit të normës së pasaktë të amortizimit ishte përllogaritur në 120.4 milionë lekë.
KLSH ka dhënë 15 rekomandime, prej të cilave 14 masa organizative dhe një masë disiplinore, duke kërkuar korrigjimin e vlerave të aktiveve, rakordimin e llogarive dhe përmirësimin e raportimit financiar.
Bashkia Lushnjë, KLSH zbulon 12 ndërtesa të regjistruara me vlerë 1 lek secila! Mbi 648 mijë metra katrorë tokë të regjistruara për 17 lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar parregullsi në regjistrimin dhe vlerësimin e pronave publike të Bashkisë Lushnjë. Sipas raportit të auditimit, të publikuar në mars 2026, gjatë vitit 2024 bashkia kishte shtuar në regjistrat kontabël 12 ndërtesa, duke i regjistruar me vlerë vetëm 1 lek secila, ose 12 lekë gjithsej.
Po kështu, sipërfaqe tokash, trojesh, parcelash bujqësore dhe guroresh, me sipërfaqe totale 648,608 metra katrorë, ishin regjistruar në kontabilitet me vlerë të përgjithshme vetëm 17 lekë.
Sipas KLSH-së, këto vlera nuk pasqyronin saktë pasuritë e Bashkisë Lushnjë dhe binin në kundërshtim me rregullat e raportimit financiar.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu një mosrakordim prej 18 milionë lekësh ndërmjet dy llogarive financiare, si dhe pasaktësi në përllogaritjen e amortizimit. Për rrugët, rrjetet dhe veprat ujore, përdorimi i normës së gabuar të amortizimit kishte sjellë nënvlerësimin e pozicionit financiar me 120.4 milionë lekë.
KLSH ka dhënë 15 rekomandime, prej të cilave 14 masa organizative dhe një masë disiplinore. Për pasuritë e regjistruara me vlera simbolike, KLSH ka kërkuar përcaktimin e vlerës së saktë të ndërtesave dhe sipërfaqeve të tokës, si dhe korrigjimin e tyre në kontabilitet, në mënyrë që bilanci të pasqyrojë vlerën reale të aktiveve të bashkisë.
Bashkia Sarandë, pasuri dhe investime të paidentifikuara në kontabilitet
Në Bashkinë Sarandë, KLSH ka konstatuar parregullsi në evidentimin e aktiveve dhe pasqyrimin financiar të investimeve.
Sipas raportit, në llogarinë e ndërtesave dhe konstruksioneve figuronin 1.76 milionë lekë aktive të trashëguara nga viti 1999, të paanalizuara dhe pa identifikim të saktë. Gjithashtu, në llogarinë e rrugëve dhe veprave ujore rezultonin 29.5 milionë lekë të regjistruara si rikonstruksione, pa informacion të plotë mbi investimet përkatëse.
KLSH ka evidentuar edhe nënvlerësimin me 3.46 milionë lekë të pjesëmarrjes së bashkisë në kapitalin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë.
Institucioni ka dhënë pesë rekomandime organizative, duke kërkuar identifikimin dhe sistemimin e aktiveve, korrigjimin e amortizimit dhe pasqyrimin e saktë të pjesëmarrjeve në kapital.
Bashkia Pogradec, probleme me lejet e ndërtimit dhe 292 milionë lekë detyrime
Në Bashkinë Pogradec, KLSH ka konstatuar se në 11 nga 14 praktikat e kontrolluara për lejet e ndërtimit dhe certifikatat e përdorimit, dokumentacioni teknik dhe administrativ ishte i paplotë ose nuk përputhej me kërkesat ligjore.
Në pesë raste nuk ishte respektuar numri minimal i vendeve të parkimit, ndërsa në nëntë investime janë konstatuar diferenca në volumet e punimeve, me vlerë 2.2 milionë lekë.
Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara arrinin në 292.1 milionë lekë.
KLSH ka dhënë 48 rekomandime, duke kërkuar masa për shpërblimin e dëmeve, korrigjimin e pasaktësive financiare dhe përmirësimin e administrimit të investimeve.
Bashkia Gjirokastër, realizohen vetëm 59.5% e investimeve
Në Bashkinë Gjirokastër, KLSH ka konstatuar se gjatë vitit 2025 janë realizuar vetëm 59.5% e investimeve të planifikuara nga të ardhurat e veta dhe transfertat, ose 181.9 milionë lekë nga 305.5 milionë lekë.
Auditimi ka evidentuar mbivlerësim prej 36.4 milionë lekësh të një llogarie financiare, si dhe probleme në regjistrimin e 25 investimeve që vazhdonin të figuronin edhe në llogarinë e investimeve në proces.
Në katër nga nëntë procedurat e prokurimit të audituara janë konstatuar kritere kualifikimi të paqarta ose të paargumentuara.
KLSH ka dhënë 40 rekomandime për korrigjimin e pasaktësive, përmirësimin e tenderimeve dhe shpërblimin e dëmeve të konstatuara.
Periudha e audituar: viti 2025. Raporti i publikuar në nëntor 2026.
Mat, 6.1 milionë lekë dëm ekonomik, prona publike të paregjistruara
Në Bashkinë Mat, KLSH ka evidentuar 6.1 milionë lekë dëm ekonomik dhe mangësi në administrimin e të ardhurave vendore.
Detyrimet e papaguara nga familjet kishin arritur në 62 milionë lekë në fund të vitit 2025, ndërsa nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për legalizimet rezultonin 3.7 milionë lekë të ardhura të munguara.
Audituesit kanë konstatuar edhe mosregjistrimin dhe mosinventarizimin e pronave publike të transferuara me vendime të Këshillit të Ministrave.
KLSH ka dhënë 28 rekomandime, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, arkëtimin e detyrimeve dhe regjistrimin e pronave në bashkëpunim me Kadastrën.
Periudha e audituar: 2023-2025 për përputhshmërinë dhe viti 2025 për auditimin financiar. Raporti i publikuar në nëntor 2026.
Bashkia Roskovec , 37.4 milionë lekë dëm dhe 230 milionë lekë detyrime
Në Bashkinë Roskovec, KLSH ka konstatuar 37.4 milionë lekë dëm ekonomik, ndërsa detyrimet e papaguara nga bizneset dhe familjet arrinin në 230.4 milionë lekë.
Nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet e legalizuara rezultonin 24.9 milionë lekë të ardhura të munguara.
Parregullsi janë evidentuar edhe në regjistrimin e pronave publike në Kadastër, inventarizimin e tyre dhe administrimin e kontratave të qirasë.
KLSH ka dhënë 29 rekomandime, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, arkëtimin e detyrimeve dhe përmirësimin e administrimit të pasurive.
Bashkia Tepelenë, rreth 64 milionë lekë punime pa efektivitet
Në Bashkinë Tepelenë, KLSH ka konstatuar 3.6 milionë lekë dëm ekonomik nga punime të pakryera dhe 63.9 milionë lekë punime të vlerësuara pa efiçencë dhe ekonomicitet.
Dëmi ekonomik është evidentuar në investime për shkollën “Avni Rustemi” dhe rrjetet e furnizimit me ujë në disa fshatra.
Në disa procedura prokurimi janë konstatuar probleme në përcaktimin e fondeve limit dhe kritereve të kualifikimit, si dhe raste kur fituesit nuk plotësonin të gjitha kërkesat e tenderit.
KLSH ka dhënë 43 rekomandime për shpërblimin e dëmit dhe përmirësimin e procedurave të prokurimit e zbatimit të kontratave.
Bashkia Prrenjas, fitues tenderësh që nuk plotësonin kriteret
Në Bashkinë Prrenjas, KLSH ka konstatuar 6.7 milionë lekë dëm ekonomik dhe parregullsi në katër procedura prokurimi, me vlerë kontratash 227.5 milionë lekë, ku fituesit nuk plotësonin disa prej kritereve të kualifikimit.
Problemet lidhen me investime për ndërtimin e shkollës “Sali Halili”, rikonstruksionin e një kanali dhe asfaltimin e rrugëve.
Bashkia rezultonte gjithashtu me 89.9 milionë lekë detyrime të papaguara nga bizneset dhe familjet, ndërsa Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit kishte 16.7 milionë lekë gjoba të paarkëtuara.
KLSH ka dhënë 38 rekomandime, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, arkëtimin e detyrimeve dhe ndjekjen e procedurave ligjore për gjobat.
Bashkia Memaliaj, shkelje në tenderë me vlerë 320 milionë lekë
Në Bashkinë Memaliaj, KLSH ka konstatuar se në tetë procedura prokurimi, me vlerë kontratash 320.7 milionë lekë pa TVSH, operatorët ekonomikë të shpallur fitues nuk plotësonin të gjitha kriteret e tenderit.
Probleme janë konstatuar edhe në mbledhjen e taksave. Gjatë vitit 2025 ishin taksuar 3,195 familje, ndërkohë që sipas Gjendjes Civile në territorin e bashkisë rezultonin 6,946 familje.
Për 2,147 abonentë familjarë nuk ishte kryer faturimi i plotë i taksës së ndërtesës dhe truallit, duke sjellë 854 mijë lekë të ardhura të munguara.
KLSH ka dhënë 47 rekomandime, duke kërkuar analizimin e procedurave të tenderimit dhe përmirësimin e administrimit të taksave.
Bashkia Poliçan, 67 milionë lekë detyrime dhe mbi 2 mijë prona pa dokumentacion
Në Bashkinë Poliçan, KLSH ka evidentuar 67.1 milionë lekë detyrime të paarkëtuara nga bizneset dhe familjet, si dhe mangësi në administrimin e 2,294 pronave publike në Njësinë Administrative Vërtop.
Sipas auditimit, për këto prona nuk ishte përgatitur dokumentacioni tekniko-ligjor. Ndërkohë, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit nuk kishte ekzekutuar nëntë vendime për prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme.
Probleme janë konstatuar edhe në inventarizimin e aktiveve publike, ku jashtë procedurave të inventarizimit kishin mbetur pasuri me vlerë 113.6 milionë lekë.
KLSH ka dhënë 40 rekomandime, përfshirë masa për shpërblimin e dëmit ekonomik prej 422 mijë lekësh, arkëtimin e detyrimeve dhe inventarizimin e pasurive.
Bashkia Belsh, mungojnë planet e menaxhimit të riskut, propozohen masa disiplinore
Në Bashkinë Belsh, KLSH ka konstatuar mangësi në menaxhimin financiar dhe funksionimin e kontrollit të brendshëm.
Sipas raportit, bashkia nuk kishte hartuar strategjinë dhe regjistrin e risqeve për të gjitha strukturat, ndërsa mungonin planet e punës dhe përditësimi i disa rregulloreve të brendshme.
Audituesit kanë konstatuar edhe mosplotësimin e gjashtë vendeve të punës në strukturën organizative.
KLSH ka dhënë 24 rekomandime, përfshirë 18 masa organizative dhe katër masa disiplinore.
Bashkia Fushë-Arrëz, 302 milionë lekë detyrime dhe probleme me planifikimin e taksave
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, KLSH ka evidentuar 302.2 milionë lekë detyrime debitore të regjistruara në fund të vitit 2025, nga 298.8 milionë lekë në fillim të vitit.
Probleme janë konstatuar edhe në planifikimin e të ardhurave vendore. Nga 28.5 milionë lekë të planifikuara, bashkia kishte realizuar 57.4 milionë lekë, ose 201% të planit.
Sipas audituesve, planifikimi nuk mbështetej në analiza të argumentuara, ndërsa mungonin regjistra të plotë të taksapaguesve familjarë dhe dokumentacioni i nevojshëm për menaxhimin e riskut.
KLSH ka dhënë 20 rekomandime, duke kërkuar përmirësimin e kontrollit të brendshëm, saktësimin e regjistrave tatimorë dhe planifikimin e të ardhurave mbi baza të argumentuara.
Top Channel