Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare Markwayne Mullin ka deklaruar se autoritetet nuk po përjashtojnë asnjë shkak të mundshëm për problemet e komunikimit që çuan në pezullimin e nisjeve të avionëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Mullin tha se ende nuk është përcaktuar shkaku i ndërprerjes, ndërsa theksoi se përparësia e autoriteteve është garantimi i sigurisë së pasagjerëve dhe rikthimi i komunikimeve.


Ai pranoi se autoritetet kanë marrë shumë pyetje lidhur me mundësinë e një sulmi terrorist apo kibernetik, por theksoi se aktualisht nuk ka prova që konfirmojnë një skenar të tillë.

“Po marrim shumë telefonata nga njerëz që pyesin: ‘A është ky një sulm terrorist?’. Të gjithë janë të sigurt. Nuk ka nevojë të shqetësoheni për të dashurit tuaj”, deklaroi Mullin.

Ai shtoi se, duke marrë parasysh numrin e madh të sulmeve kibernetike, autoritetet duhet ta shqyrtojnë edhe këtë mundësi gjatë hetimeve.

“Ndërsa hetojmë se çfarë e shkaktoi këtë, duhet të marrim parasysh edhe mundësinë e një sulmi kibernetik, por kjo ende nuk dihet. Fillimisht do të rivendosim komunikimet dhe më pas do të rifillojmë operacionet normale”, tha ai.

Mullin theksoi gjithashtu se nuk ekziston ndonjë arsye për ta lidhur ndërprerjen e komunikimeve në aviacion me problemet e fundit teknike të kompanisë Microsoft.

Ai u përpoq të qetësonte qytetarët, duke deklaruar se situata nuk përbën një kërcënim të ngjashëm me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ndërprerjes dhe për të rikthyer funksionimin normal të trafikut ajror. /Telegrafi/