Kina ka miratuar për herë të parë një ilaç oral të kategorisë GLP-1 për trajtimin e obezitetit dhe mbipeshës. Bëhet fjalë për tabletat orforglipron, të prodhuara nga kompania amerikane “Eli Lilly” dhe të tregtuara me emrin “Muyouda”.
Vendimi u njoftua nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës (NMPA), duke i hapur kompanisë amerikane një mundësi të re në tregun kinez, ku kërkesa për trajtimet kundër obezitetit po rritet me shpejtësi.
Orforglipron bën pjesë në grupin e barnave GLP-1, të cilat imitojnë veprimin e një hormoni të prodhuar në zorrë, që ndihmon në rregullimin e oreksit dhe nxit humbjen e peshës. Ndryshe nga trajtimet me injeksion, ky medikament merret në formë tabletash.
Ilaçi është tashmë i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe, ndërsa miratimi në Kinë zgjeron praninë e tij në një nga tregjet më të mëdha potenciale për trajtimin e mbipeshës dhe obezitetit.
Në Kinë janë tashmë të disponueshme edhe trajtime GLP-1 me injeksion, të prodhuara nga “Eli Lilly”, kompania daneze “Novo Nordisk” dhe laboratori kinez “Innovent”.
Sipas një studimi të publikuar në vitin 2025 në revistën mjekësore “The Lancet”, numri i të rriturve kinezë që janë mbipeshë ose obezë mund të arrijë në 630 milionë deri në vitin 2050. Kjo shifër përfaqëson një treg potencialisht të madh për kompanitë që zhvillojnë trajtime kundër obezitetit.


